Sipas të dhënave më të fundit të botuara nga Worldometers, 13.591 njerëz kanë vdekur në botë për shkak të coronavirusit, dhe deri më tani janë infektuar 315,442 njerëz.
Një mjek francez ka vdekur nga coronavirusi, njoftoi të dielën Ministri Francez i Shëndetësisë, duke shtuar se kjo është vdekja e parë e një mjeku në vend, transmeton Telegrafi.
“Unë u informova të shtunën për vdekjen e një mjeku në spital”, tha Ministri i Shëndetësisë Olivier Véran në TV France, të dielën.
Ai nuk pranoi të jepte më shumë informacione, duke përmendur vendimin e familjes dhe konfidencialitetin mjekësor.
Viktima ishte një mjek i kujdesit urgjent në një spital në Compiègne, në departamentin francez Oise, raportoi AFP, duke cituar kanalin televiziv France 3 dhe burimet e tyre.
Oise ishte një nga zonat e para franceze që u godit rëndë nga virusi. Mjeku vdiq pasi u transferua për trajtim në Lille, në Francën veriore.
Ndërsa në shtetin fqinj të Francës, në Spanjë gjendja vazhdon të përkeqësohet edhe më shumë.
Autoritetet spanjolle raportojnë se 394 njerëz kanë vdekur në 24 orët e fundit nga coronavirusi – gjithsej 1720 kanë vdekur në Spanjë. Po ashtu sot ka pasur 3600 raste të reja që janë konfirmuar se janë infektuar me COVID-19.