Përhapja e pandemisë së COVID-19 në të gjithë botën i ka dhënë mundësinë Presidentit Vladimir Putin që të testojë teknologjitë e reja në Rusi.
Një ndër sistemet më të mira që ai po përdor për të luftuar pandeminë është sistemi i njohjes së fytyrës si dhe një rrjet i madh kamerash të vendosura në rrugë.
Sistemi i njohjes së fytyrës u prezantua pak më herët gjatë këtij viti në qytetin e Moskës ku ka pasur dhe një reagim shumë të ashpër nga qytetarët për dhunimin e privatësisë.
Por me përhapjen e pandemisë, tashmë qytetarët shprehen se ky sistem është i nevojshëm për ta luftuar atë.
Vetëm disa ditë më parë, qeveria ruse deklaroi se nëpërmjet sistemit të njohjes së fytyrës dhe rrjetit prej 170 mijë kamerash janë identifikuar dhe gjobitur mbi 200 persona në Moskë që kanë thyer rregullat e karantinimit.
Sistemi është i aftë që ti kapë ata brenda vetëm 1 minute pasi kanë dalë nga shtëpitë e tyre.
“Ne duam që të instalojmë kamera dhe në rrugicat e errëta të Moskës në mënyrë që mos të mbetet as një vend pa u monitoruar. Tashmë ne duhet të instalojmë dhe 9 mijë kamera të tjera” – shprehet Oleg Baranov, shefi i policisë së Moskës.
Gjithashtu ai shprehet se sistemi analizon dhe rrjetet sociale të personave që dyshohen si të infektuar me COVID-19.
Me anë të saj qeveria identifikoi një shtetase kineze që hyri në territor. Pas testeve të bëra ajo rezultoi negativ.
Por sistemi arriti të identifikojë dhe të gjithë personat që ajo kishte takuar gjatë qëndrimit në Moskë gjatë muajit shkurt.