Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës në një konferencë për media për zhvillimet në sektorin financiar pas paraqitjes së Pandemisë Covid 19, theksuan se sikurse vendet tjera, edhe BQK ka marrë një sërë masash për klientët në këtë kohë pandemie.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se për shkak të pandemisë, ekonomia e Kosovës do të shënojë rënie, për shkak të rënies së të hyrave edhe të diasporës, rënies së investimeve dhe fuqisë blerëse.
Mehemti ka siguruar se bankat kanë mjaftë para të gatshme, paratë e gatshme janë dezinfektuar, por shtoi se në asnjë rast bankat nuk duhet të rrisin tarifat e tyre.
Sipas Mehmetit, shkalla e madhe e mbylljes së bizneseve do të ndikojë në rënien e investimeve, konsumit dhe fuqisë blerëse.
“Kjo ka ndikuar në ndërprerjen e aktiviteteve të shumë sektorëve ekonomik, duke lënë bizneset pa të hyra përderisa detyrimet e këtyre bizneseve vazhdojnë të jenë aktive gjë që rrezikon aftësinë paguese dhe mund t’i shtyjë ato edhe drejt dështimit. Në të njëjtën kohë punonjësit e këtyre bizneseve rrezikojnë që pjesërisht apo plotësisht të mbesin edhe pa paga dhe pa vende të punës, që njëkohësisht do të ndikojë në rënien e fuqisë blerëse, të konsumatorëve”, tha Mehmeti.
“Në këto kushte kur kërkesa për kredi bie, po ashtu pasiguria për të ardhmen rritet. Pritet që të ketë edhe rënie të kreditimit nga institucionet financiare, duke ndikuar kështu në zvogëlimin e një burimi të rëndësishëm të financimit të konsumit dhe investimeve. Një kanal tjetër i rëndësishëm i goditjes së ekonomisë së Kosovës nga kriza pandemisë, mund të jetë edhe sektori i jashtëm. Kosova ka një varësi të lartë nga remitencat, duke pranuar një shumë përafërsisht 10 për qind në raport me GDP-në”.
Guvernatori ka treguar edhe se sa do të ketë rënie të ekonomisë për shkak të Covid-19 edhe në Kosovë dhe cilët do të jenë shkaktarët.
“Remitencat sot e përbëjnë 10 për qind të GDP-së, janë një burim i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, sidomos në konsum, me siguri që do të ketë efekt negativ për ekonominë, dhe si rezultat I saj parashikimet tona janë që të kemi një ulje të rritjes reale ekonomike prej minus deri 2 deri minus katër për vitin 2020”, theksoi Mehmeti.
BQK-ja bëri të ditur një varg masash të marra për shpëtimin e ekonomisë së vendit nga situata e krijuar nga virusi.
Mehmeti ka sqaruar se klientët ind ividual dhe bizneset nuk janë të detyruar që pas tre muajve të paguajnë për një herë normat e interesit, sipas tij, kjo do të shpërndahet nëpër muajt të tjerë vijues.
“Nuk do të ketë masa ndëshkuese për shtyrjen e këstit, sa I përket Interesit të rregullt, kjo llogaritet, mirëpo do të shpërndahet nëpër periudha pasi të kaloj kriza dhe jo për një herë. Llogaritet, por do të paguhet në proporcion me muajt në vijim në momentin kur të përfundon kriza. Përpjesëtohet me muajt 12 ose 15. Edhe bankave ua kemi bërë me dije që t’i respektojnë këto vendime, për arsye pas krizës do të bëjmë ekzaminimin te secila bankë”, deklaroi ai.
Ai ën fund tha se Pako Emergjente e miratuar nga Qeveria pritet të jetë një injeksion për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.
Ndërse a, i pyetur nga mediat se sa është numri i atyre që kanë aplikuar për shtyrjen e kësteve të kredive, Mehmeti tha se nuk kanë numër të saktë, përveç se veçoi se ka ankesa nga bankat për shkak se po kërkojnë shtyrje të këstit ata që nuk kanë vështirësi financiare.