Një dërgesë e ndihmave për luftimin e koronavirusit ka ngritur vetullat edhe në Shtetet e Bashkuara, edhe në Rusi.
Aeroplani i mallrave i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, i ngarkuar me maska, ventilatorë dhe pajisje të tjera mjekësore, ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Nju Jorkut “John F. Kennedy” më 1 prill.
Sipas Kremlinit, kjo ka qenë “ndihmë humanitare” për Shtetet e Bashkuara në luftën kundër COVID-19 – sëmundjes që e shkakton koronavirusi.
Por, një ditë më vonë, Departamenti amerikan i Shtetit e ka kundërshtuar Kremlinin, duke thënë se SHBA-ja e ka blerë dërgesën nga Rusia.
Departamenti i Shtetit nuk ka pranuar të bëjë publike se sa ka paguar.
Më pas ka folur Ministria e Jashtme ruse, duke thënë se Moska dhe Uashingtoni e kanë ndarë koston.
Por, tani ka edhe një problem tjetër: dy nga subjektet ruse të përfshira në dërgesë, janë sanksionuar nga administrata e Shteteve të Bashkuara, për shkak të aneksimit të rajonit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014.
Për të shtuar konfuzionin edhe më shumë, një zyrtar anonim i administratës amerikane është cituar të ketë thënë se kostoja nuk është ndarë: Shtetet e Bashkuara e kanë paguar gjithë dërgesën.
Situata e krijuar ngre disa pyetje te vëzhguesit: A i kanë shkelur Shtetet e Bashkuara sanksionet e veta apo kanë bërë përjashtime për shkak të dërgesës? Nëse po, pse? Dhe, pse ka deklarata kundërthënëse për pagesën?
Shqetësime për propagandë
Disa ditë më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka folur për dërgesën me ndihma, duke thënë se ajo ka ardhur pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Trump ka folur për të sikur të ishte punën e kryer.
Më 2 prill, Trump është pyetur nga gazetarët për dërgesën dhe, konkretisht, nëse ai mendon se ajo mund të përdoret si mesazh propagandues nga Kremlini.
“Ai ka qenë shumë i mirë”, ka thënë Trump duke iu referuar bisedës së tij me Putinin.
“Ai ka thënë: E kemi. Edhe ata për vete kanë vështirësi me këtë virus, siç e dini. Ka qenë një gjest i mirë i presidentit Putin. Nuk kam mundur të them jo. Kam thënë: do ta marr”, është shprehur Trump teksa ka përshkruar bisedën e tij me Putinin.
“Nuk jam i shqetësuar për Rusinë dhe propagandën, madje aspak. Ka shumë gjëra mjekësore, me cilësi shumë të lartë, që i kam pranuar. Mund të shpëtojnë shumë jetë dhe do t’i marr çdo ditë”, ka thënë Trump.
Ligjvënësit evropianë akuzojnë Rusinë për keqpërdorim të pandemisë për përfitime politike
Kritikët perëndimorë dhe rusë të Moskës thonë se Kremlini është duke e përdorur ndihmën si pjesë të një fushate propaganduese, në mes të pandemisë globale të koronavirusit.
Në Moskë, media shtetërore ruse ka transmetuar materiale për dërgesën, përsfhirë pamje nga aeroplani i mallrave Antonov, duke u mbushur me furnizime. Në kutitë e kartonit shkruante “Nga Rusia, me dashuri”.
Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara ka thënë në një postim të llogarisë së ambasadës në Facebook se ai shpreson se Qeveria amerikane do ta ndihmojë Rusinë në të ardhmen, nëse ëshë e nevojshme – “pa ndonjë politizim”.
“Ne mund të sigurojmë pajisje emergjente, të nevojshme për të shpëtuar amerikanë. Misioni humanitar rus mund të jetë i suksesshëm edhe nëse një jetë e vetme shpëtohet”, ka thënë Anatoly Antonov.
“Ne jemi të sigurt se Shtetet e Bashkuara, nëse është e nevojshme, do të na ndihmojnë dhe ne do ta pranojmë me kënaqësi ndihmën. Pa asnjë politizim”, ka shtuar ai.
“Furnizimet e nevojshme”
Në fjalimin e dytë televiziv për krzën e koronavirusit në Rusi – të transmetuar më 2 prill, në ditën kur aeroplani rus ka arritur në Nju Jork – Putin nuk e ka përmendur dërgesën.
Por, dërgesa ka nxitur kritikat e disa kundërshtarëve më të zëshëm të Rusisë, përfshirë Aleksei Navalnyn dhe Aleancën e Mjekëve – një organizatë joqeveritare që ka kritikuar hapur përgjigjen e shtetit rus ndaj koronavirusit.
“Kjo është e mrekullueshme”, ka thënë grupi me sarkazëm.
Ndihmat ruse ndaj SHBA-se
“Ne mbledhim para në gjithë vendin për të blerë pajisje mbrojtëse për punonjësit mjekësorë dhe autoritetet tona i shesin ato në Shtetet e Bashkuara. Kjo është një lloj talljeje”.
Një ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit e ka pëshkruar dërgesën si “blerje të furnizimeve të nevojshme”, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se kostoja e dërgesës është ndarë.
“Gjysma e kostos së furnizimeve është paguar nga Fondi Rus i Investimeve Direkte [RDIF] dhe gjysma nga pala amerikane”, ka thënë ajo, duke shtuar se RDIF “luan rol të rëndësishëm” në bashkëpunimin biznesor SHBA-Rusi dhe “e mbështet biznesin amerikan në Rusi”.
Më 3 prill, një zyrtar anonim i administratës amerikane e ka kundërshtuar Zakharovan.
“Shtetet e Bashkuara blejnë furnizime dhe pajisje nga vendet tjera. Ne e vlerësojmë që Rusia i shet ato nën vlerën e tregut”, ka cituar Reuters zyrtarin amerikan.
Synime të këqija?
RDIF, i cili thotë se ka 10 miliardë dollarë pasuri nën administrim, është fond sovran dhe përdoret – ngjashëm sikur fondet sovrane të pasurisë në vendet e tjera – nga Qeveria ruse, për të investuar në projekte në gjithë botën.
Në vitin 2015, ky fond është futur në listën e sanksioneve, të përpiluar nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Për rrjedhojë, individët dhe kompanitë amerikane janë ndaluar që të marrin hua ose të investojnë në të.
Fondi është sanksionuar për shkak të lidhjeve të tij me një bankë tjetër ruse, Vnesheconombank, e cila është sanksionuar në kuadër të masave kundër aneksimit rus të Krimesë.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i RDIF-it, Arseny Palagin, ka thënë se sanksionet ekzistuese nuk zbatohen në këtë rast.
“Sanksionet sektoriale, të vendosura kundër disa ndërmarrjeve ruse dhe degëve të tyre, prekin vetëm transaksione specifike, që kanë të bëjnë me financimin afatgjatë të këtyre kompanive nga subjektet amerikane dhe evropiane, në formë të kapitalit ose borxhit”, ka thënë Palagin në një përgjigje përmes emailit.
“Të gjitha transaksionet e tjera, përfshirë bashkinvestimet dhe transaksionet e tjera biznesore, janë të lejuara”, ka thënë ai.
Ventilatorët që janë përfshirë në dërgesën për SHBA-në raportohet se janë siguruar nga kompania e njohur si Radio-Electronic Technologies.
Një aeroplan me ndihma nga Rusia
Kjo kompani është në prani të Rostec, një konglomerat i madh shtetëror që përfshin disa nga prodhuesit më të njohur të teknologjisë në Rusi.
Radio-Electronic Technologies është sanksioniar nga Thesari amerikan qysh në korrik të vitit 2014, në kuadër të masave që lidhen me Krimenë.
Departmenti amerikan i Thesarit nuk i është përgjigjur kërkesës për koment dhe zyrtarët amerikanë nuk kanë folur publikisht për ndonjë debat brenda administratës, në lidhje me dërgesën ruse.
Në komentet për dërgesën, të bëra më 31 mars, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka sugjeruar se ka pasur zyrtarë ose agjenci amerikane që kanë shprehur kundërshtime ndaj dërgesës. Ai po ashtu i ka bërë jehonë një vlerësimi rus – pa ndonjë provë specifike – se disa zyrtarë amerikanë përpiqen të minojnë perspektivat e bashkëpunimit dypalësh.
“Duket se kanë qenë disa në palën amerikane, që, së paku, nuk kanë kontribuar në zgjidhjen e shpejtë të çështjeve teknike për zbatimin e marrëveshjes së dy presidentëve”, ka thënë Peskov.
Brian O’Toole, ish-analist në Thesarin amerikan, ka thënë se nuk ka domosdoshmërisht diçka të gabuar në përfshirjen e Fondit, sa u përket sanksioneve.
Përfshirja e prodhuesit të ventilatorëve, megjithatë, është më problematike, ka thënë ai.
“Edhe nëse [administrata e SHBA-së] përfundon duke i shkelur sanksionet e saj, duke blerë respiratorë, ose ventilatorë, ose pajisje të tjera, ajo nuk do t’i ndëshkojë agjencitë e saj”, ka thënë O’Toole për Radion Evropa e Lirë.
“Problemi më shumë është se ata nuk e dinë se çfarë po bëjnë – që është një kritikë e vazhdueshme e kësaj administrate”, ka shtuar ai.
“Gishti i mesëm”
As Departamenti i Shtetit dhe as Ministria e Jashtme ruse nuk e kanë zbuluar vlerën e dërgesës; zyrtari i paidentifikuar i administratës amerikane i ka thënë agjencisë Reuters se mallrat janë shitur “nën vlerën e tregut”.
Bazuar në llojin dhe numrin e ventilatorëve të përfshirë në dërgesë dhe listën e çmimeve të paraqitura në faqen e internetit të prodhuesit, vetëm ventilatorët duket se kushtojnë rreth 76 milionë rubla, afërsisht 1 milion dollarë.
Është e sigurt se Qeveria ruse e ka ditur se ka përfshirë dy subjekte që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, ka thënë O’Toole.
“Është një rrëfim i pakuptimtë në shumë mënyra. Më shumë se gjithçka, duket se Putin po ngre sërish gishtin e mesëm ndaj nesh”, ka thënë O’Toole.
“Është normale për Putinin që të zgjedhë një kompani [të sanksionuar] për transaksione, për të na futur në lojë”, ka thënë ai.
Andrew Weiss, ish-këshilltar i Këshillit për Siguri Kombëtare në SHBA, gjatë presidencës së Barack Obamës, ka thënë se “të gjitha marrëveshjet midis Trumpit dhe Putinit gjatë tre vjetëve e gjysmë janë përshkuar nga ky element i shkuarjes së pashpjegueshme të Trumpit pas Putinit”.
“Putin luan shumë lehtë me këtë, përfiton dhe përpiqet të hedhë hije mbi politikën amerikane”, ka thënë Weiss.