Fjalë Kyçe

Akuzohet për ngacmim të asistetes 30 vjet më të re se ai, Biden e mohon skandalin

Akuzohet për ngacmim të asistetes 30 vjet më të re se ai, Biden e mohon skandalin

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ka mohuar akuzat për sulm seksual ndaj një punëtoreje të tij rreth 30 vjet më parë si senator amerikan.

Tara Reade, e cila punoi shkurtimisht si asistente stafi e zyrës së Bidenit, kishte thënë se ish-shefi i saj e kishte mbështetur me forcë për muri dhe ia kishte futur duart nën këmishë e fustan.

“Kjo absolutisht s’ka ndodhur”, kanë thënë nga fushata e Bidenit këtë javë, raporton BBC. Bideni, 77-vjeç, me gjasë do të jetë i nominuari i Demokratëve për president.

“Ai beson fuqishëm se gratë duhet të ketë të drejtën për t’u dëgjuar – dhe të dëgjohen me respekt”, ka thënë zëdhënësja e fushatës së tij. “Pretendime të tilla duhet të shqyrtohen nga një media e pavarur. Por një gjë është e qartë në këtë pretendim: s’është i vërtetë”.

Zonja Reade, 56-vjeçe, i përshkroi pretendimet e saja në një intervistë gjatë muajit mars me gazetaren e revistës “Rollingstones”, Katie Halper, transmeton KOHA. Asaj i ishte kërkuar t’ia dërgonte një çantë fitnesi senatorit pranverën e vitit 1993, thotë ajo, dhe kishte mbetur e vetme me Bidenin.

“Nuk pati ndonjë diskutim, sinqerisht, ai thjesht më mbështeti për muri”, i tha ajo Halperit. “Më kujtohet që gjithçka ndodhi shpejt… i kishte duart në mua dhe nën rroba”.

“Më kujtohet që më tha, në fillim, teksa po me prekte, ‘A dëshiron të shkojmë diku tjetër?’ dhe më pas, kur e shtyva… tha, ‘Hajde de, kam dëgjuar se të pëlqej’”, tha ajo në këtë bisedë. “Kjo frazë më është ngulitur në kokë”.

Fakti se në mendjen e saj ai ishte përkrahës i të drejtëve të grave, e bëri përvojën edhe më të hidhur, thotë ajo.

Zonja Reade ngriti padi penale më 9 prill në polici, duke thënë se ka qenë viktimë e sulmit seksual por nuk e kishte përmendur Bidenin. Përmes një postimi në Twitter, ajo tha se kishte ngritur padi “vetëm për arsye sigurie”, pasi statuti i kufizimeve për kërkesën e saj ka skaduar.

Reade ishte një nga tetë gratë që vitin e kaluar dolën hapur duke e akuzuar kandidatin për prekje të pahijshme, për përqafime apo puthje, ndonëse asnjëra nga to nuk i kishte cilësuar veprimet e tij si sulm seksual në atë kohë.

Si kundërpërgjigje, Bideni u zotua se do të jetë “më i kujdesshëm” në ndërveprimet e tij. Në një hetim të “New York Times” për pretendimet e zonjës Reade, dy miq dhe vëllai i saj thanë se ajo i përshkroi detajet e sulmit traumatik seksual ku përfshihej ish-zëvendëspresidenti

Por gazeta nuk gjeti ndonjë vërtetim nga asnjë ish-anëtar i stafit të Bidenit dhe nuk gjeti “asnjë model të sjelljeve të pahijshme seksuale nga Z. Bideni”.

Zonja Reade tha se e kishte raportuar ngacmimin e Bidenit – pa përmendur sulmin e pretenduar –tek disa anëtarë të lartë të stafit të Bidenit, përfshirë edhe asistenten ekzekutive të Z. Biden, Marianne Baker.

Zonja Baker mohon të ketë dëgjuar ndonjëherë një ankesë të tillë. “Nuk kam absolutisht asnjë njohur apo kujtesë të këtyre ngjarjeve të Zonjës Reade, të cilat pa dyshim se do të më linin mbresë si grua profesioniste, e edhe si menaxhere”.

Pasi stafi nuk pranoi të përgjigje ndaj raportimeve të saja për ngacmim, Zonja Reade thotë se ishte ankuar në Senat. Asnjë procesverbal i një ankese të tillë nuk është gjetur. Menjëherë pas kësaj, Znj Reade tha që personeli i zyrës ia hoqi pjesën më të madhe të detyrave të saj para se të pushonin përfundimisht.

Zonja Reade nga ajo kohë është zhvendosur në Bregun Perëndimor të SHBA-së ku ka punuar për një senator shtetëror, është mbrojtëse e të mbijetuarve të dhunës në familje dhe e organizatave për shpëtimin e kafshëve.

Pretendimet u shpërfaqën menjëherë pasi senatori Bernie Sanders hoqi dorë nga gara për Shtëpinë e Bardhë, duke e bërë Z. Bidenin, sipas të gjitha gjasave, të nominuarin Demokrat për president. Ai pritet të jetë në garë me Donald Trumpin në zgjedhjet amerikane që pritet të mbahen në nëntor të këtij viti.