Violeta Rexhepagiqi ishte e guximshme. Edhe në skenë, edhe në raportimet prej gazetareje, por edhe në stil.
Fotografitë e rinisë së hershme të saj, në të cilat pozon me flokët lara-lara – që shpesh i kombinonte edhe me veshje – janë dëshmi e rrëfimit për një vajzë avangarde, e cila mbase ishte edhe para kohës, raporton KOHA.
Sot, kryeqyteti u zgjua me lajmin për vdekjen e këngëtares, kompozitores e gazetares së njohur. Violeta Rexhepagiqi vdiq në moshën 56-vjeçare.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ajo u gjet e vdekur në shtëpinë e saj, në orët e mëngjesit.
Rexhepagiqi, u lind në vitin 1965 dhe mësimet e para i mori në shkollën “Faik Konica”. Përfundoi shkollën e mesme “Xhevdet Doda” dhe studio psikologjinë në Sarajevë. Qysh herët nisi të merrej me muzikë dhe radio – drama për fëmijë.
Talenti i saj shpërtheu rreth vitit 1984, kur u paraqit me grupin e muzikës modern “Vivien”. Siç kishte rrëfyer vetë ajo, grupin e emëroi sipas aktores Vivien Li, sepse e adhuronte filmin e saj “E fërfëlluar me stuhi”.
Dy herë ajo tentoi të përfaqësonte Jugosllavinë në Eurovizion.
Viti 1986 e solli atë në garë me këngën “Nora”, ku ajo përfundoi e shtata në listë, ndërsa një vit më vonë ajo kthehet në festivalin përzgjedhës për këngën në Eurovizion – Jugovizija, me këngën “Nuk të harroj” dhe me këngën “Fedora” në kuadër të grupit “Vivien”.
E motra e këngëtarit Armend Rexhepagiqi, Violeta këndoi hitet “Zhurmë e erërave të dikurshme”, “Romantika”, “Fama”, “Fjollat”, “Shota” etj.
Çmimi për karrierë iu nda në “Videofestin muzikor”, të realizuar nga Kohavisioni.
Sa në muzikë, gjurmë ka lënë edhe në gazetari. Rexhepagiqi qysh në moshën 18-vjeçare u angazhua në Radio Prishtinë, me emisione të ndryshme, siç ishte “Fontanë dëshirash”.
Gazetarja Fitnete Tuda, mike e kolege e Violetës ndan kujtimet me të.
Sipas Tudës, Rexhepagiqi që nga vitet e pasluftës ishte harruar nga shoqëria.
Në telegramin ngushëllues të Ministres së kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi, është shkruar se Violeta nuk ishte artiste e zakonshme.
“Të jashtëzakonshme e bënte përpjekja e saj për të thyer tabutë duke sjellë modernitetin në formën më të mirë të tij, në artin e kulturën tonë. Në kohët më të vështira, me muzikalitetin dhe elegancën e saj skenike Violeta la gjurmën e pashlyeshme në artin kosovar. Violeta Rexhepagiqi ishte udhërrëfyese për artistët e rinj dhe si e tillë do të mbahet mend gjithmonë”, është shkruar ndër tjerash në telegram
Pas largimit të dhunshëm nga Radio Prishtina, Violeta Rexhepagiqi u angazhua në agjencitë e lajmeve si “Neë Netëork”, “ËTN”, “Sky Neës”.
Ajo realizoi edhe me Arkanin, para së cilit u prezantua si e huaj dhe tërë bisedën e zhvilloi në gjuhën angleze.
Kohëve të fundit punonte në arkivin e Radiotelevizionit të Kosovës.