Pas një trajnimi të shpejtë prej tri ditësh, princeshë Sofia e Suedisë iu bashkua radhëve të ekipeve mjekësore suedeze, në krizë të plotë shëndetësore në lidhje me koronavirusin e ri, njofton Oborri Mbretëror.
Prej ditës së enjte, princesha 35-vjeçare është asistente vullnetare e personelit shëndetësor në Spitalin “Sophiahemmet” në Stokholm.
“Si presidente nderi e “Sophiahemmet”-it, ajo dëshiron të ndihmojë në këtë krizë në Suedi”, tha Margareta Thorgren, zëdhënëse e Oborrit Mbretëror.
Princeshë Sofia i është bashkuar familjes mbretërore pasi u martua me Princin Carl Philip, në vitin 2015.
Suedia ka zgjedhur një qasje origjinale ndaj COVID-19 duke mos e kufizuar popullsinë e saj, trasnmeton kultplus. Autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për përgjegjësi qytetare, distancim shoqëror, zbatim të rreptë të rregullave të higjenës, izolim në rast simptomash.
Ndër masat më të rrepta të marra deri tani janë ndalimi i tubimeve të më shumë se 50 personave dhe ai i vizitave në azilet e pleqve.
Sot, mbretëria skandinave regjistroi 13 226 raste të konfirmuara me COVID-19, përfshirë 1 400 vdekje.