Qeveria e Afganistanit ka filluar t’iu shpërndaj bukë falas mijëra njerëzve, pasi që furnizimet janë ndërprerë për shkak të izolimit, por edhe çmimet janë rritur shumë.
Më shumë se 250.000 familje në kryeqytetin Kabul kanë filluar të pranojnë nga 10 bukë të llojit “Naan” në ditë, si pjesë fazës së parë të këtij projekti, raporton Reuters të martën.
Presidenti Mohammad Ashraf Ghani, ka thënë se programi i shpërndarjes së bukës është duke ndodhur edhe në qytete të tjera, pasi që rritja e çmimeve është duke ndikuar në një ndër shtetet më të varfra në botë, ku më shumë se gjysma e popullatës jeton në varfëri të skajshme.
“Duke marrë parasysh varësinë e Afganistanit në ushqimet e importuara dhe në produktet e importuara, ndërprerja e tregtisë si rezultat i mbylljes së kufijve gjatë pandemisë, ka një ndikim të madh në inflacionin e brendshëm”, ka thënë Omar Joya, ekonomist në Institutin e Birunit, transmeton Koha.
Situata e shkaktuar nga COVID-19 në Afganistan, është duke u kthyer nga një emergjencë e shëndetit në një krizë për ushqim dhe mbijetesë.
Afganistani deri të martën ka shënuar 3.224 raste pozitive me koronavirus, ndërkohë 95 persona kanë vdekur.
“Sikur sulmet nuk mjaftojnë për të na bërë jetët tona të mjerueshme, tani duhet të merremi me frikën e virusit dhe mungesën e ushqimit”, ka thënë Amiran Jalazi, një nënë e katër fëmijëve, burri i të cilës ishte vrarë në një sulm militant këtë vit në Kabul.