Fjalë Kyçe

Rritet numri me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

Rritet numri me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 33 persona të infektuar me koronavirus nga 332 testet e realizuara, që paraqet shifrën më të lartë që nga 25 prilli kur kishte 41 raste.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 11 të infektuar në Shkup, 9 në Veles, 5 në Prilep, nga 2 në Kumanovë dhe Tetovë dhe nga 1 në Shtip dhe Kriva Pallankë.

“Nuk mund ende të themi se cilat mund të jenë shkaqet për një rritje të tillë. Mund të jetë për shkak të lehtësimit të masave të lëvizjes në dy javët e fundit, sikur edhe në vendet tjera ku gjithashtu ka pasur një rritje të lehtë. Por sidoqoftë, ne në dy ditët e ardhshëm do të shohim se si çfarë shifrash do të kemi që të dalim me ndonjë vlerësim më të qartë”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai ka bërë thirrje për respektimin e plotë të masave, mbajtjen e maskave si dhe ruajtjen e distancës fizike, si dy nga kriteret kryesore për parandalimin e përhapjes së virusin ndërsa ka njoftuar se të premten dhe të shtunën do të vendoset për masat tjera.

Ndërkohë, sa i përket të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 22 persona që kanë fituar betejën me COVID-19, numri më i madh i tyre është në Kumanovë dhe Prilep.

Gjithashtu, është regjistruar edhe një viktimë. Një burrë i moshës 70 vjeçe nga qyteti i Velesit ka ndërruar jetë rrugë për në qendrën infektive në Shkup.

Sipas të dhënave të reja, numri i përgjithshëm i pasojave nga COVID-19 është si vijon: 1572 të infektuar, prej tyre 1079 të shëruar, 89 të vdekur dhe 404 ende aktiv me koronavirus.

Në Maqedoninë e Veriut që nga paraqitja e rastit të parë me koronavirus në 26 shkurt, janë realizuar 18,168 teste.