Fjalë Kyçe

Vazhdon ndërtimi i hidrocentaleve, nuk përfillet vendimi i Ministrisë

Vazhdon ndërtimi i hidrocentaleve, nuk përfillet vendimi i Ministrisë

Të gjitha punimet për hidrocentralet në Kosovë, shkaku i situatës me pandeminë COVID-19, tash e më shumë se një muaj janë pezulluar me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit kanë thënë se të gjitha kompanitë janë duke e respektuar këtë vendim, raporton KOHA.

Por, në disa video të publikuara në rrjete sociale shihet një situatë krejt ndryshe. Aty vërehet se ndërtimi i hidrocentralit në Brezovicë është duke vazhduar.

Edhe banorët në këtë vend kanë thënë se kompania është duke punuar me intensitet të shtuar, por nuk kanë pranuar të flasin para kamerës për këtë.

Përfaqësues të kompanisë “Matkos Group”, që po e ndërton këtë hidrocentral, përmes telefonit kanë thënë se janë duke e respektuar vendimin e Qeverisë, dhe se nuk kanë punuar në asnjë ditë, pavarësisht dëmeve të shkaktuara.

Për të kundërshtuar ndërtimin e këtij hidrocentrali në Malet e Sharrit është krijuar edhe një grup në Facebook për mbrojtjen e lumit Lepenc.

Në këtë faqe shumë shpesh janë duke u publikuar video dhe fotografi, ku shihen pajisje të kompanisë duke punuar në ndërtimin e hidrocentraleve në këtë pjesë.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje për këtë edhe nga zyrtarë të Komunës së Shtërpcës, por ata nuk janë përgjigjur.