Fjalë Kyçe

OBSH po heton lidhjet midis COVID-19 dhe një sëmundjeje të fëmijëve

OBSH po heton lidhjet midis COVID-19 dhe një sëmundjeje të fëmijëve

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është duke studiuar lidhjen e mundshme midis sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, dhe një sëmundjeje të rrallë inflamatore që ka sëmurë dhe vrarë fëmijë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Në javët e fundit, disa vende kanë raportuar raste të fëmijëve me simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes Kawasaki.

“Raportet e para supozojnë se kjo sindromë mund të ketë lidhje me COVID-19″, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë virtuale.

“Është thelbësore që kjo sindromë klinike të përcillet me urgjencë dhe me kujdes, të kuptohet shkaku dhe të përshkruhen ndërhyrjet në trajtim”, tha ai.

Tedros i bëri komentet pasi një mjek në Francë tha të premten se një djalë nëntë vjeç atje, që ka dalë pozitiv për COVID-19, ka vdekur nga sindroma, duke shënuar vdekjen e parë të tillë në këtë vend. Vdekje të ngjashme të fëmijëve po hetohen edhe në Nju Jork dhe Londër.