Kryeministres së Zelandës së Re, Jacinda Ardern i është ndaluar hyrja në një kafene, sepse nuk kishte hapësirë të bollshme, për shkak të numrit të kufizuar të njerëzve brenda.
Së bashku me të fejuarin e saj, Clarke Gayford ajo ka dashur të hynte në një lokal për kafen e mëngjesit, por nuk është lejuar të hynte, pasi ishte përmbushur numri i lejuar i klientëve.
“Nuk mund të besoj, sapo e kthye prapa kryeministren”, ka shkruar në Twitter, një vizitor që e kishte parë ngjarjen nga afër.
Zelanda e Re ka hyrë në fazën e dytë të kufizimeve, që nënkupton se kafenetë dhe restorantet janë të hapura, por duhet bërë kujdes të shtuar.
Të gjithë duhet të mbajnë nga një metër distancë kur ndodhen brenda, ndërsa ndalohet grumbullimi i më se dhjetë personave, transmeton Telegrafi.
“Unë e marr përgjegjësinë për këtë ndalesë, sepse nuk rezervova, duke menduar se vetëm do të ulemi diku të pijmë kafe. Shërbimi bëri mirë, që nuk na la”, ka shkruar më pas i fejuari i kryeministres në Twitter, duke e lavdëruar shërbimin, për përmbajtjen e rregullave.
Mirëpo, ai ka bërë të ditur se kafenenë e kanë pirë në një restorant në afërsi, ku gjetën një tavolinë në dispozicion.