Njerëzit mund të duhet të mësojnë të jetojnë me koronavirusin, sipas zëvendës drejtorit kryesor mjekësor të Anglisë.
Duke folur në konferencën e përditshme të qeverisë, profesori Jonathan Van-Tam tha se Mbretëria e Bashkuar do të “dalë nga kjo” pasi të ketë një vaksinë që është “me të vërtetë e aftë të shtypë nivelet e sëmundjes”.
“Pra, nga ky këndvështrim mund të duhet të jetojmë, dhe të mësojmë të jetojmë, me këtë virus në afat të gjatë, sigurisht për shumë muaj që do të vijnë nëse jo disa vjet,” tha ai.
Van-Tam paralajmëroi se vendi do të duhet të përgatitet që virusi të kthehet në vjeshtë dhe dimër.
Ai paralajmëroi se nevojiten më shumë informacione për sezonalitetin e COVID-19, duke shtuar: “Të dhënat që kemi për koronaviruset e tjera që kemi parë me shumë kujdes, dhe nuk është e qartë se këto koronaviruse janë po aq sezonale sa edhe gripi.
“Por mund të ketë një element të sezonalitetit dhe mund të jetë që kushtet e vjeshtës dhe të dimrit të sigurojnë një mjedis më të mirë që virusi të bëjë përsëri punën e tij.” Studimet kanë siguruar dëshmi të ndryshme mbi rolin e fëmijëve në transmetimin e COVID-19, por profesori Van-Tam tha se “të dhënat janë goxha të pakta” nëse fëmijët mund ta kalojnë virusin te të rriturit.
Profesori Van-Tam tha që shumica e fëmijëve kanë simptoma “jashtëzakonisht të buta” COVID-19 dhe shkalla e infeksionit midis tyre është “gati e njëjtë” si tek të rriturit, por “ndoshta pak më e ulët” tek fëmijët e vegjël.