Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur Organizatën Botërore të Shëndetit një kukull të Kinës.
Komentet e tij vijnë kur OBSH po zhvillon një takim virtual dyditor të përqendruar në pandeminë globale.
Trump ka vijuar me kritikat kundër OBSH për menaxhimin e pandemisë.
“Na dha këshilla shumë të këqija, këshilla të tmerrshme. Ishin shumë të gabuara dhe gjithmonë në anë të Kinës”, tha Trumpi.
Ndërsa Trump nuk mori pjesë vetë në diskutimet e OBSH, sekretari amerikan i Shëndetësisë u bashkua me video, duke thënë se OBSH-ja keqpërdori krizën, dhe kjo kushtoi shumë jetë njerëzish.
Trump i dha kreut të OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus 30 ditë kohë për të bërë ndryshime të mëdha ose në të kundërt SHBA do të ndërpresë përgjithmonë fondet për OBSH.
Kritikat dhe ultimatumet kreu i Shtëpisë së Bardhë i bëri të qarta përmes një letre të dërguar për shefin e OBSH, të cilën e publikoi në “Twitter”.