Kryeministri japonez Shinzo Abe ka hequr gjendjen e jashtëzakonshme mbarëkombëtare të vendit, duke i dhënë fund kufizimeve në zonat e mbetura ku urdhri ishte akoma në fuqi.
“Ne kemi pasur kritere shumë të rrepta për të hequr gjendjen e jashtëzakonshme. Ne kemi gjykuar se i kemi përmbushur këto kritere,” tha Abe në një fjalim televiziv para kombit të hënën.
Kryeministri tha se vendi kishte arritur të kontrollonte përhapjen e Covid-19 që nga lëshimi i urdhrit në disa zona më 7 prill, më pas duke e zgjatur atë në të gjithë vendin, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.
Japonia ishte duke lehtësuar kufizimet që nga mesi i majit, por mbajti disa zona, përfshirë Tokion, nën vëzhgim për të siguruar që shpërthimi ishte përmbajtur.
Japonia ka regjistruar 820 vdekje të lidhura me koronavirusin dhe 16.550 infeksione.