Maqedonia e Veriut, nga data 1 qershor, pritet të hapë kufijtë me shtetet fqinje.
Kështu propozoi Komisioni për Sëmundje Infektive në mbledhjen e së martës, ku u propozua edhe heqja e orës policore, si dhe hapja e restoranteve dhe e kafeneve.
Këto kufizime janë ndërmarrë qysh në muajn mars, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Propozimet e Komisionit për heqjen e tyre do të diskutohen në mbledhjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të martën pasdite.
“Ne do të marrim vendime që do t’i lehtësojnë të gjitha këto masa kufizuese, por e gjithë kjo do të bëhet me respektimin e rreptë të masave nga qytetarët”, tha kryeministri maqedonas, Oliver Spasovski.
Hapja e kufijve, sipas propozimit të Komisionit për Sëmundje Infektive, do të bëhet në koordinim me shtetet tjera të rajonit.
Ende nuk është e qartë nëse parashihen teste për koronavirus për qytetarët që hyjnë në Maqedoninë e Veriut, edhe pse ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë më herët se një gjë e tillë do të vështirësonte lëvizjen e qytetarëve.
Hapja e lokaleve të gastronomisë u tha se gjithashtu do të bëhet në përputhje me protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë, ruajtjen e distancës fizike, apo përgjysmimin e kapaciteteve të objekteve.
Ndalesa për lëvizjen e qytetarëve deri tani ka qenë nga ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa fundjavave është aplikuar edhe karantinë shtetërore, por me propozimin e ri ajo do të hiqet tërësisht.
Maqedonia e Veriut, të martën, ka regjistruar edhe tre të vdekur nga koronavirusi dhe 16 raste të reja të të infektuarve.
Me këto shifra, numri i viktimave në këtë vend shkon në 116, ndërsa i të infektuarve në 2,015.