Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se ndonëse situata pas shpërthimit të koronavirusit në Evropë është përmirësuar, “në nivel botëror është duke u përkeqësuar”.
Në një njoftim për koronavirus më herët gjatë ditës, ai u ka thënë gazetarëve që më shumë se 100,000 raste të infektuara janë raportuar në nëntë nga 10 ditët e fundit, dhe se 75 për qind e rasteve të një dite më parë kanë ardhur nga vetëm 10 shtete – shumica prej tyre nga Amerika dhe Azia Jugore.
Mirëpo pavarësisht tonit të vrazhdë, Tedros ka thënë se OBSH-ja është e inkurajuar nga “shenjat pozitive” në disa shtete.
“Rezultatet nga studimet, që tregojnë sesa është ekspozuar popullsia ndaj virusit, tregojnë se shumica e personave në botë janë të ndjeshëm ndaj infektimit”, tha ai.
Kujtojmë se rastet e para me koronavirus janë raportuar në Wuhan, Kinë, në fund të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën me këtë virus janë infektuar mbi 7 milionë persona. Prej tyre, mbi 3 milionë janë shëruar, derisa mbi 400.000 kanë vdekur.