Gjermania ka vendosur t’i zgjasë paralajmërimet e saj të udhëtimit për 160 vende jashtë Bashkimit Evropian deri në fundin e muajit gusht, ndërsa kontrollet në kufi me shtetet fqinjë do t’i heqë që në mesin e qershorit.
Teksa kriza e koronavirusit në shumë shtete të Europës po zbutet disi, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas thotë se Gjermania nuk ka ende sisteme me pjesën tjetër të botës për të vlerësuar dhe koordinuar udhëtimin pa ndeshur në rreziqe të mundshme.
“Nuk mund të rrezikojmë që gjermanët të mbeten sërish të bllokuar anekënd botës këtë verë, ose që pushuesit gjermanë të kthehen në vend me virusin e të kalojnë pa u diktuar”, tha Maas. I ndërgjegjshëm se shumë turistë mund të duan të udhëtojnë në destinacione që përfshijnë Turqinë, SHBA-në, veriun e Afrikës dhe juglindjen e Azisë, shefi i diplomacisë gjermane tha se qeveria do të vazhdojë t’i shohë me kujdes paralajmërimet e saj të udhëtimit përpara shtatorit.
Nga këto paralajmërime përjashtohen vendet e BE-së, anëtarët e Shengenit dhe Mbretëria e Bashkuar. Gjermania e kishte njoftuar heqjen e ndalesës së udhëtimit për shtetet e bllokuat, Islandën, Norvegjinë, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën duke filluar nga 15 qershori. Ministri i Brendshëm Horst Seehofer deklaroi se vendi do të shkojë më tej duke i hequr kontrollet kufitare deri në këtë datë, por paralajmëroi se kjo do të rishqyrtohet nëse situata me koronavirusin përkeqësohet.
Seehofer gjithashtu tha se rregullat ekzistuese për qytetarët e vendeve jo anëtare të BE-së që duan të vijnë në Gjermani do të zgjaten deri në fund të qershorit.