Shkrimtarit Ismail Kadare i është ndarë çmimi “Prozart” për vitin 2020, të cilin e jep festivali ndërkombëtar i letërsisë, “PRO-ZA Balkan”.
Shkrimtari i madh është shpërblyer për “kontributin e dhënë në zhvillimin e letërsisë së Ballkanit”. Festivali “PRO-ZA Balkan” mbahet në Maqedoni të Veriut. Organizatorët e kanë çmuar Kadarenë për “opusin e tij impozant shumëvjeçar romancier dhe estetik, që rregullisht shkakton jehonë të madhe te kritika evropiane dhe botërore”.
Për shkak të pamundësisë që festivali të mbahet në terminin e paraparë, në fund të majit, Kadare e mori çmimin në shtëpinë e tij në Paris. Çmimi përbëhet nga një statujë dhe pjesa monetare.
Organizatorët kanë paralajmëruar se edicioni i tetë i festivalit do të mbahet në vjeshtë.
Këshillin e çmimit e përbëjne Ermis Llafazanovski, Aleksandar Prokopiev dhe Dejan Trajkovski.
“Me respekt të madh ia ndajmë çmimin ‘Prozart’ shkrimtarit i cili shënoi gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe fillimin e shekullit të ri me realizimet e tij letrare provokuese dhe kompakte”, thuhet në arsyetimin e këshillit.
Kadare është shprehur falënderues për mirënjohjen. Atij i vjen keq që nuk e ka pranuar çmimin në festival.
“U pikëllova që nuk do të mund ta pranoj ftesën e festivalit që personalisht ta marr çmimin të cilin ma dhuruat me dashamirësi. Por për shkak të pandemisë momentale, shpresoj se mjafton kjo letër falënderimi nga largësia”, shkruan në një letër të Kadaresë.