Miliona fëmijë janë të detyruar të punojnë ndërkohë që nuk munden të ndjekin shkollën.
OKB synon që fëmijët të shkojnë në shkollë dhe të mos punojnë, por pas një përparimi të mirë për dy dekada, miliona vajza dhe djem janë tani në rrezik t’i kthehen sërish punës dhe shkak për këtë është pandemia globale e koronavirusit, percjell tch.
Në ditën ndërkombëtare botërore kundër punës së fëmijëve, dy organizata të OKB-së paralajmërojnë se kriza, po kërcënon me miliona fëmijë. UNICEF dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës thonë se pandemia po çon në rritjen e varfërisë dhe rënien e të ardhurave familjare. Rritja e punës së fëmijëve është konstatuar shpesh në situata të tensionuara ekonomike. Fëmijë që janë tashmë të punësuar do të duhet të punojnë më gjatë ose të bëjnë punë më të rrezikshme. Qëllimi i Kombeve të Bashkuara është eliminimi i punës së fëmijëve deri në vitin 2025.
Por, raporti i tanishëm tregon shenja se puna e fëmijëve po rritet ndërsa shkollat në të gjithë botën po mbyllen për të zvogëluar rrezikun e infeksionit me koronavirusin. Më shumë se 90 përqind e të gjithë nxënësve, pra 1.6 miliardë të rinj në të gjithë botën, janë prekur nga mbylljet e përkohshme të shkollave. Por shkollat i mbronin fëmijët edhe nga shfrytëzimi, dhe ky instrument kontrolli tani nuk vepron. BB në anën tjetër vlerëson se deri në 60 milionë njerëz mund të bien në nivelin e varfërisë ekstreme këtë vit si rezultat i krizës së koronavirusit dhe do t’ju duhet të jetojnë kështu me më pak se 1.90 dollarë në ditë.