Zyrtarët e Koresë Jugore kanë thënë se Koreja Veriore e ka shkatërruar me bomba zyrën ndërlidhëse mes dy vendeve.
Ky veprim erdhi vetëm disa orë pasi Koreja Veriore i përsëriti kërcënimet me veprime ushtarake ndaj vendit fqinj, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Konfirmimi i shkatërrimit të zyrës vjen pas raportimeve të gazetës lokale “JoongAng Ilbo” se afër qytetit Kaesong është dëgjuar një shpërthim. Ky qytet shtrihet në Korenë Veriore, vetëm pesë kilometra larg kufirit me Korenë Jugore.
Zyra ndërlidhëse mes vendeve me marrëdhënie të brishta ka qenë e boshatisur nga janari i këtij viti për shkak të masave kufizuese që u morën për luftimin e përhapjes së koronavirusit.
Tensionet mes Koresë Veriore dhe Koresë Jugore kanë eskaluar javëve të fundit dhe janë nxitur nga grupet e dezertorëve, të cilët nga Koreja Jugore dërgonin fletushka propaganduese në Korenë Veriore.
Motra e liderit të Koresë Veriore, Kim Yo-jong, përmes një deklarate të publikuar në fundjavë kërcënoi se kjo zyrë do të shkatërrohej.
Dy vendet e kishin hapur zyrën ndërlidhëse pas bisedimeve mes liderëve Kim Jong-un të Koresë Veriore dhe Moon Jae-in të Koresë Jugore.