Coronavirusi nuk është zhdukur dhe vala e dytë e tij do të ndodhë në vjeshtë ose dimër, thotë doktor Tobias Welte, nga Qendra gjermane për Sëmundjet Infektive.
Në një intervistë për REL ai thotë se faktorë të mëdhenj rreziku janë ajri i ftohtë dhe lagështia e ulët. Welte thotë se distanca fizike dhe maskat e fytyrës janë ndër masa më të rëndësishme mbrojtëse.
Welte, që është edhe pjesëtar i task-forcës gjermane për luftimin e coronavirusit, thotë se rritja e numrit të rasteve në Kosovë, ditëve të fundit, lidhet me kulturën e jetesës.
“Mendoj se dallon nga vendi në vend. Janë disa vende ku po ndodh vala e dytë. Për shembull, në Iran ka rritje ditore të rasteve, pasi numri i tyre ka rënë. Atje tani është vala e dytë. Shkaku mund të jetë fetar. Gjatë Muajit të Ramazanit, numri i rasteve ka rënë, por më pas, pas takimeve të shumta të njerëzve, ai prapë është rritur. Në vende të tjera, si Gjermania, nuk ka rritje në nivel vendi, por ka vatra. Një nga këto vatra janë fabrikat e mishit. Problemi i këtyre vatrave është se ato bartin disa faktorë rreziku. Në fabrikat e mishit, për shembull, mbizotëron ajër i ftohtë dhe i thatë; njerëzit punojnë afër njëri-tjetrit dhe distanca nuk respektohet”, thotë Welte.
Më tej ka thënë se nuk do të mund të parandalohet vala e dytë e virusit, pasi nuk do të ketë vaksinë deri në mes të vitit të ardhshëm.
“Virusi nuk është zhdukur në asnjë vend evropian. Ne jetojmë në një botë globale. Nëse udhëtimet lejohen dhe kufijtë hapen sërish, virusi do të përhapet prapë nga vendi në vend. Andaj, do të thosha po, do të ketë valë të dytë në vjeshtë. Intensiteti i valës së dytë është ende i paqartë. Druaj se jo. Nuk do të ketë vaksinë deri në mes të vitit të ardhshëm, nëse jemi me fat. Pra, gjasat për një vaksinë nuk janë aq të mëdha dhe nuk do të ketë trajtim efektiv. E vetmja gjë që duhet të bëjmë, edhe kur rihapim ekonominë, është t’i ruajmë disa masa parandaluese. Dhe, më e rëndësishmja është distanca”, ka theksuar ai.