Polica në Korenë e Jugut ka njoftuar se e ka gjetur trupin e pajetë të kryetarit të Seulit, Park Won-soon, në kodrat e Seulit verior të premten, sipas kohës lokale, pas shtatë orësh kërkimi.
E bija e Parkut e kishte thirrur policinë të enjten pasdite për ta lajmëruar si të zhdukur, duke thënë se ia kishte lënë një mesazh “si të ishte testament i fundit” para se të dilte nga shtëpia.
Rreth 400 policë u mobilizuan në kërkimin e tij, raporton AP.
Kim Jui-hyeong, zyrtar i qeverisë komunale të Seulit, ka thënë se Parku nuk ishte shfaqur në punë të enjten për arsye të paqarta, dhe kishte anuluar tërë agjendën, përfshirë edhe takimin me një zyrtar presidencial.
Televizioni SBS i Seulit raportoi se njëra nga sekretaret e Parkut ishte ankuar te policia të mërkurën me akuza se Parku e kishte ngacmuar seksualisht. Ajo kishte thënë se edhe shumë punonjëse tjera në komunën e Seulit kishin qenë viktima të ngacmimit seksual nga ana e Parkut, transmeton KOHA.
Park, një aktivist dhe avokat i të drejtave të njeriut, u zgjodh si kryetar i Seulit në vitin 2011. Ai fitoi edhe mandatin e tretë vitin e kaluar. Anëtari i Partisë Liberale Demokratike, njëjtë si presidenti i Koresë Jugore Moon Jae-in, konsiderohej si kandidat potencial presidencial për vitin 2022.