Rritja e ritmeve të infektimeve me koronavirus në shumë vende është “nxitur pjesërisht nga të rinjtë që tregohen më të shkujdesur gjatë stinës së verës në Hemisferën Veriore,” tha të enjten Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Të rinjtë, shumë pa maska, po injorojnë rekomandimet për distancimin fizik, duke mbushur bare, klube nate dhe plazhe që janë rihapur që kur autoritetet hoqën kufizimet e koronavirusit.
“Shumica e të rinjve të infektuar kalojnë zakonisht një formë më të lehtë të sëmundjes. Por kjo nuk ndodh gjithmonë,” tha Maria Van Kerkhove, një epidemiologe e OBSH që i quajti klubet e natës “shumëfishues të përhapjes”.
Të rinjtë që shfaqin simptoma të buta ose nuk kanë simptoma mund ta përhapin virusin te njerëzit më të moshuar dhe më të rrezikuar.
Në Brazil, Presidenti Jair Bolsonaro, i cili rezultoi pozitiv për koronavirus më 7 korrik dhe më pas negativ të shtunën e kaluar, tha se pas qëndrimit 20 ditë mbyllur, kishte rezultuar me myk në mushkëri. Ai po mjekohet me antibiotikë. Zoti Bolsonaro i është referuar vazhdimisht diagnozës me COVID-19 si “pak grip”.
Brazili, të enjten mbrëma, kishte 2.6 milionë raste të konfirmuara dhe 91,263 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins.
Ndër rastet e konfirmuara është edhe zonja e parë e Brazilit, Michelle Bolsonaro, e cila rezultoi pozitive të enjten, sipas një deklarate nga pallati presidencial. Ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Marcos Pontes gjithashtu tha se ai kishte rezultuar pozitivit për virusin, duke e bërë atë ministrin e pestë të kabinetit të diagnostikuar publikisht.
Udhëheqësi i rajonit verilindor të Katalonjës në Spanjë po paralajmëron të rinjtë të ndalin mbrëmjet festive, përndryshe autoritetet mund të duhet të rikthejnë kufizime të ashpra.
Britania ka raportuar numrin më të lartë të rasteve të reja të COVID që nga fundi i qershorit; si rezultat zyrtarët paralajmëruan se mund të duhet të imponohen masa më të gjera karantine.
Zyrtarët britanikë të shëndetit regjistruan 846 raste të reja të enjten. Ministri për Shëndetësi dhe Kujdes Social, Matt Hancock tha që një valë e dytë e virusit po lëviz në të gjithë Evropën dhe se Britania duhet të vetëmbrohet prej saj.
“Është absolutishsht thelbësore që si vend ne të vazhdojmë të ruajmë fokusin dhe disiplinën dhe të mos gënjejmë veten se kemi kapërcyer rrezikun, ose se problemi ka marrë fund, sepse nuk ka përfunduar,” tha të enjten Kryeministri Boris Johnson.
Autoritetet britanike shtuan Luksemburgun në listën e vendeve, shtetasit e të cilëve duhet të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë pasi të futen në Britani. Spanja, e cila ishte hequr nga lista, është rikthyer dhe mund të shtohen vende të tjera.
Kryeqyteti i Botsuanës, Gaborone, vendosi të enjten masa dy-javore izolimi, pas një rritjeje të rasteve të reja të konfirmuara me koronavirus. Rritja pasoi paralajmërimet e OBSH kundër lehtësimit të masave parandaluese në Afrikë. OBSH thotë se numri i infeksioneve në këtë kontinent është dyfishuar në muajin e kaluar.
“Ne jemi të shqetësuar se … do të përballemi me rritje të rasteve siç kemi hasur në vendet e tjera” ku kufizimet janë lehtësuar shumë shpejt,” tha Drejtoresha Rajonale OBSH-së për Afrikën, Matshidiso Moeti.
Ajo shtoi se më shumë se 20 vende afrikane kanë regjistruar rritje të rasteve të reja krahasuar me javët e mëparshme. Afrika e Jugut përfaqëson pjesën më të madhe të këtyre rasteve, megjithëse rritje janë raportuar gjithashtu në Kenia, Madagaskar, Nigeri, Zambia dhe Zimbabve.
Dr. Moeti tha se Uganda, Sejshelet dhe Maurishës janë më mirë në kontrollin e virusit.
Kuba raportoi nëntë raste të reja të enjten dhe 37 raste të reja në fillim të kësaj jave. Vetëm 10 ditë më parë, Kuba raportoi se nuk kishte pasur asnjë rast të ri për herë të parë që nga shfaqja e epidemisë në mars. Megjithatë, në Kubë nuk janë raportuar vdekje për më shumë se dy javë.
Kuba deri tani ka qenë relativisht e suksesshme në luftën kundër COVID-19, por epidemiologu kryesor kuban, Francisco Duran, tha të enjten se kubanët po tregohen të pakujdesshëm.
“Njerëzit po mblidhen në grumbullime të ndryshme pa marrë parasysh distancimin dhe shpesh pa vënë as maskë në fytyrë,” tha ai. “Çdo rritje e në grafikë dëshmon mungesë disipline, gjë që bën të nevojshme masa më të forta”.
Në Florida, policia në ishullin Ki Uest arrestoi një çift i cili kishte rezultuar pozitiv për COVID-19, por kishin dalë në publik në kundërshtim me një urdhër karantinë.
Fqinjët që xhiruan çiftin duke shëtitur dhe bërë pazar i dhanë klipin policisë.
Arrestimi i çiftit është ndër rastet e para në shtet të reagimit policor për shkeljen e karantinës.
Florida, me 461,000 raste të koronavirusit dhe 6.600 vdekjeve, është e dyta vetëm pas Kalifornis[, e cila ka 492,000 raste të konfirmuara dhe 8.965 vdekje.
Revista National Geographic, ndërkaq njofton se ka ngordhur qeni i parë në SHBA, i cili ishte diagnostikuar me COVID-19.
Buddy 7-vjeçar, një qen stani gjerman që jetonte me një familje njujorkeze, u sëmur në prill ndërsa i zoti i tij po kurohej për koronavirus.
Buddy kishte të njëjtat simptoma si njerëzit e prekur nga COVID-19, përfshirë vështirësi në frymëmarrje. Ai u nda nga jeta me një injeksion qetësues, pasi pasojat e sëmundjes rezultuan në probleme serioze.
Veterinerët e qenit thanë se ai po vuante edhe nga kanceri. Mjekët thonë se njerëzit me probleme ekzistuese shëndeti gjithashtu janë më të rrezikuar nga COVID-19.
OBSH thotë se transmetimi i virusit nga kafshët në njerëz nuk ka të ngjarë.
National Geographic shkruan se 12 qen dhe 10 mace kanë rezultuar pozitive për koronavirusin në Sh.B.A./VOA/