Në Kosovë ka rënie të investimeve të huaja, prej kur ish-Qeveria e Kosovës, shpalli emergjencë për shëndetin publik në muajin mars, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e koronavirusit. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, nga muaji mars deri në muajin maj të këtij viti, vlera e investimeve të huaja ka arritur në 38.9 milionë euro, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo vlerë ishte 52 milionë euro.
Por, udhëheqës të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë theksojnë se që nga vendimi i ish-qeverisë më 15 mars, ka kërkesa nga investitorë të huaj.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, tregon se në kohën kur e ka marrë udhëheqjen e ministrisë më 4 qershor, ka gjetur 27 kërkesa për investime të huaja, pa precizuar kohën e paraqitjes së kërkesave, kurse më pas janë paraqitur edhe katër kërkesa të tjera.
“Kërkesat e investitorëve janë paraqitur që të investojnë në fushën e energjisë solare, bujqësisë, industrisë përpunuese. Investitorët janë nga shtete të ndryshme, nga Gjermania, Zvicra dhe Austria, disa nga to janë në bashkëpunim edhe me bizneset vendore”, tha Krasniqi.
Krasniqi nuk tregon shumën eventuale të investimeve, por thotë se vëllimi minimal i projektit të investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është më së paku dhjetë milionë euro.
Në bazë të Ligjit për Investime Strategjike, statusi i investuesit strategjik vlerësohet ai që i kontribuon rritjes ekonomike, punësimit dhe zbatimit të teknologjive të reja apo që ndikon në rritjen e mirëqenies dhe kushteve të jetës së qytetarëve të Republikës se Kosovës.
Por, Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se tërheqja e investimeve të huaja vlerësohet sfidë për Kosovën, në kohën kur e gjithë bota po përballet me pasojat e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Përveç pandemisë në nivel global, ai thotë se Kosovës në mundësinë e tërheqjes së investimeve ndërkombëtare, i kontribuon edhe mungesa e stabilitetit politik dhe ekonomik brenda vendit.
Ujkani thotë se vështirësimi i gjendjes ekonomike dhe mosangazhimi adekuat i institucioneve qeveritare për të adresuar çështjet për rimëkëmbje ekonomike, vështirëson edhe gjendjen e investitorëve aktual në Kosovë. Kurse, për tërheqje të reja të investimeve, sipas tij, duhet pritur veprimet konkrete të institucioneve për këtë çështje.
“Vështirësimi i punës së investitorëve të huaj, do të nënkuptonte gradualisht ndoshta për të menduar tërheqjen nga ky treg. Unë mund të them me përgjegjësi të plotë, se një anëtar i jonë, që është bashkë-investim vendor dhe evropian, së fundmi ka reduktuar kapacitetin e prodhimit më të madh. Pikërisht, për shkak të asaj që ka pasur një neglizhencë të madhe nga institucioneve vendore”, thekon Ujkani.
Mundësia e tërheqjes së investimeve të huaja, ka qenë edhe një nga temat gjatë samitit të mbajtur për Ballkanin Perëndimor, në fund të muajit të kaluar, ku kanë marrë pjesë liderët e gjashtë shteteve të rajonit: Kosovës, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Në këtë samit që u organizua nga Këshilli Atlantik, me seli në Uashington të Shteteve të Bashkuara, liderët e këtyre vendeve janë zotuar për bashkëpunim ekonomik, njëherësh janë pajtuar që të ndiqet një plan për të tërhequr investimet e huaja direkte në rajon.
Ujkani shprehet skeptik në mundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja nga iniciativa të tilla.
“Natyrisht që Kosova nuk duhet të përjashtohet nga këto forume dhe pjesëmarrje në to, por sa do të jetë e aftë Kosova për tërheqje të investimeve ndërkombëtare dhe për të ofruar një klimë të përshtatshme për ta, unë jam shumë skeptik. Samiti ka qenë i mirë se ardhur, do vazhdojnë kërkesat e tilla, por unë gjykoj se përderisa vazhdon klima e brendshme politike, çfarë është për momentin, mendoj se këto takime përveç pjesëmarrjes formale, do të kufizojnë bukur shumë mundësinë që të përfitojnë nga iniciativa të tilla”, tha Ujkani.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja ndër vite kanë shënuar rënie. Në vitin e kaluar vlera e investimeve ka qenë 265 milionë euro. Shuma më e ulët e investimeve direkte të huaja ka qenë në vitin 2014, me vetëm 151 milionë euro.