Presidenti amerikan, Donald Trump u nxorr befasisht nga salla e konferencës së shtypit së Shtëpisë së Bardhë, pak pasi pati të shtëna jashtë gardhit të ndërtesës.
Trump u kthye në sallë pas disa minutash dhe tha se një person ishte qëlluar me armë zjarri nga forcat e rendit dhe është dërguar në spital.
Ai tha se mesa kishte kuptuar, i dyshuari kishte qenë i armatosur.
“Pati të shtëna jashtë Shtëpisë së Bardhë. Duket se (situata) është krejtësisht nën kontroll… Por pati të shtëna me armë dhe dikush është dërguar në spital. Nuk e di se si është ai person”, tha ai.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Steve Herman shkruante në Twitter, se gazetarët qëndruan në sallën e konferencës për shtyp, ndërsa Shtëpia e Bardhë u vendos nën masa sigurie.
“Ju u befasuat dhe unë gjithashtu u befasova”, u tha presidenti gazetarëve, kur u rikthye.
Ai tha se ishte çuar në Zyrën Ovale, pasi u nxorr nga salla e shtypit.
“Dua të falënderoj Shërbimin Sekret. Janë të mrekullueshëm”, tha zoti Trump në përgjigje të njoftimeve se i dyshuari mesa duket ishte i armatosur.
“Ndoshta ‘të shtënat’ nuk kishin të bënin aspak me mua”, shtoi ai.
Shërbimi sekret konfirmoi se kishte pasur të shtëna me armë zjarri pranë Shtëpisë së Bardhë.
Pak minuta pasi kishte filluar konferenca e shtypit, Presidenti Trump u nxor nga salla, pa shpjegime për ndërprerjen.
Edhe Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin dhe Drejtori i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Russ Vought u nxorën nga salla dhe dyert u kyçën.