Fjalë Kyçe

Joe Biden zgjedh Senatoren Kamala Harris si kandidate për nënpresidente

Joe Biden zgjedh Senatoren Kamala Harris si kandidate për nënpresidente

Në Shtetet e Bashkuara, Kandidati demokrat për president, Joe Biden deklaroi të martën se ka zgjedhur senatoren Kamala Harris, si kandidaten e tij për nënpresidente për zgjedhjet e 3 nëntorit 2020.

Është e para herë që një afrikano-amerikane zgjidhet si kandidate për nënpresidente nga njëra nga partitë kryesore.

Zoti Biden e bëri publike zgjedhjen e tij në faqen e tij të fushatës, që tashmë ka në faqen e pare emrat e zotit Biden dhe zonjës Harris dhe një fotografi të tyre, së bashku. Ai e njoftoi zgjedhjen e tij edhe në Twitter:

“Kam nderin e madh të njoftoj se kam zgjedhur Kamala Harrisin – një luftëtare e guximshme për të pafuqishmit dhe një nga zyrtarët më të mirë publikë – si kandidate për nënpresidente”, shkruan kandidati demokrat për president, Joe Biden.

Zoti Biden, përmendte gjithashtu edhe bashkëpunimin e Senatores Harris, që ka qenë Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë, me të birin e tij, Beau që ishte Prokuror i Përgjithshëm i Delauerës.

“Pashë se si ata u përballën me bankat e mëdha, mbështetën njerëzit e punës dhe mbrojtën gratë dhe fëmijët nga abuzimet. Isha krenar për ta dhe jam krenar sot ta kem partnere në këtë fushatë”, shkruante ai.

Presidenti Donald Trump, reagoi shumë shpejt me një video të faqes së tij të fushatës, të cilën e publikoi në llogarinë e tij në Twitter, ku thuhet se zonja Harris kandidoi për postin e presidentit (në garën brenda Partisë Demokrate) duke përqafuar të majtën radikale dhe se amerikanët e hodhën poshtë kandidaturën e saj.

Joe Biden “po ia jep frenat në dorë Kamalës, ndërsa të dy ata përqafojnë të majtën radikale”, thuhet në video.

“Joe i ngadaltë dhe Kamala hipokrite: të përkryer së bashku, të gabuar për Amerikën”, përfundon videoja.

Senatorja Kamala Harris, ishte konsideruar si kandidatura kryesore për këtë post, megjithëse zoti Biden e kishte shtyrë njoftimin mes spekullimeve për kundërshtimin brenda kampit të tij ndaj emrit të saj.

Alternativa të tjera ishin diskutuar që dukej të ishin më të prirura për bashkëpunim sesa zonja Harris, një ish-rivale si kandidate brenda partisë që ishte përplasur shpesh me zotin Biden, gjatë fushatës.

Zoti Biden kishte premtuar se do të zgjidhte një grua me kualifikime të larta për postin. Së fundmi kishte pasur thirrje të shumta që ai të zgjidhte një afrikano-amerikane, ndërsa në të gjithë vendin u intensifikuan protestat për barazi racore.

“Besoj se një zgjedhje e tillë do t’i motivonte shumë votuesit afrikano-amerikanë dhe ndoshta ata të rinj që ndoshta nuk janë aq të entusiazmuar me kandidaturën e tij”, kishte thënë për Zërin e Amerikës Niambi Carter, profesore shkencash politike në Universitetin Howard.

Zonja Harris, një senatore e njohur, bijë imigrantësh nga India dhe Xhamaika dhe ish-kandidate për presidente, dukej si zgjedhje e natyrshme.

Disa këshilltarë kryesorë të zotit Biden dukej se kishin ngritur pyetje për besnikërinë dhe ambicjet e saj, por dukest se ai i kapërceu këto rezerva.

Zonja Harris kishte bërë disa takime këtë javë me këshilltarë të zotit Biden, për të disktuar mbi këto shqetësime.

Kandidatura të tjera që po konsideroheshin ishin Karen Bass, një anëtare kongresi afrikano-amerikane nga Kalifornia, ish-këshilltarja e sigurisë kombëtare, Susan Rice, ish ligjvënësja e shtetit të Xhorxhas, Stacey Abrams, senatorja aziatiko-amerikane Tammy Duckworth nga Ilinoi, senatorja e Masaçusetsit, Elizabeth Warren dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer.

Pritet që zoti Biden dhe senatorja Harris të shfaqen së bashku për herë të pare si partnerë të kandidaturës demokrate të mërkurën.