Fjalë Kyçe

Momenti kur Policia e Kosovës rrënoi barrikadat për të hyrë në Veri

Momenti kur Policia e Kosovës rrënoi barrikadat për të hyrë në Veri

Inpektorati Policor, në vazhdën e operacioneve në disa komuna të Kosovës, ka kryer sot një aksion në Veri ku ka arrestuar 19 zyrtarë policorë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kontrabandë dhe marrje të ryshfetit.

Policia ka hasur në disa barrikada derisa po hynte në në komunën e Zubin Potokut, shkruan Gazeta Express.

Në videot e publikuara nga veriu i Kosovës, shihet se si Policia largoi barrikadat që ishin bërë me kamionë, për të depërtuar në pjesën veriore.

Nga ky operacion u arrestuar 19 zyrtarë policorë, mes tyre 10 të nacionalitetit serbë, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë.

Edhe pse ky operacion i Policisë së Republikës së Kosovës ka nxitur reagime në Beograd, Ministria e Punëve të Brendshme ka sqaruar se aksioni policor nuk kishte të bënte aspak me baza etnike.

Ndryshe, Gazeta Express ka raportuar ekskluzivisht që nga dje se kishin filluar arrestimet fillimisht në pikën kufitare në Vërmicë/Morinë.

“Ministria e Punëve të Brendshme konkretisht Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë realizuar zbatimin e masave të kontrollit dhe arrestimin e personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Dyshohet se këto vepra penale janë kryesisht keqpërdorimi i detyrës zyrtare, marrja e ryshfetit, kontrabandimi por edhe vepra të ndryshme të natyrës së krimit të organizuar”, thuhej në njoftimin e MBP’sës për media.

Komunikata thotë se operacioni është i mbështetur në urdhrat e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe është mbikëqyrur nga Prokuroria Speciale.

“Veprimet janë zhvilluar në komuna të ndryshme dhe nuk kanë karakter etnik. Ditë më parë operacion i ngjashëm është realizuar edhe në Vërmicë/Prizren”, u tha në njoftim.

Po ashtu, urdhërarrest ka pasur edhe për nëntë qytetarë, ndërsa shtatë të tjerë janë arrestuar pasi kanë tentuar ta pengojnë operacionin e policisë.

“Janë arrestuar nga ana e Policisë edhe nëntë qytetarë tjerë për të cilët kishte urdhër-arrest dhe shtatë qytetarë të cilët kanë penguar Policinë në përmbushjen e detyrave të saj. Në barrikadën në Zubin Potok është arrestuar edhe një shtetas rus, bëhet fjalë për z.Mihajl Aleksandreviç Krasnoshchenkov, i cili kishte vendosur në barrikadë veturën me targa të UNMIK-ut. Zyrtari rus më pas është liruar.