Fjalë Kyçe

Shefi i mafias siçiliane kafshon dhe gëlltit gishtin e rojes së burgut

Shefi i mafias siçiliane kafshon dhe gëlltit gishtin e rojes së burgut

Giuseppe Fanara i klanit Cosa Nostra sulmoi shtatë policë gjatë inspektimit të qelisë së tij.

Një kryetar i mafias siçiliane që po kryen dënim me burg të përjetshëm ka kafshuar duke këputur gishtin e një prej gardianëve gjatë një përleshjeje, dhe më pas duket se ka gëlltitur, njoftonin mediat vendase.

60 vjeçari Giuseppe Fanara, i dënuar përjetë në burgun e Rebibbia në Rome, sulmoi shtatë rojet që erdhën për të kontrolluar qelinë e tij, raporton Il Messagero.

Fanara, i klanit famëkeq siçilian Cosa Nostra, kishte kryer 9 vjet nga dënimi i tij sipas kodit special italian “41-bis” për anëtarët e mafias. Kodi i ashpër i izolon thuajse tërësisht ish-krerët e bandave për të ndaluar që ata të vazhdojnë komandimin e klaneve të tyre edhe prapa hekurave.

“Gjatë përleshjes Fanara kafshoi gishtin e vogël në dorën e djathtë të policit. Copa e gishtit u pre dhe u zhduk, ndërsa prokurorët arritën në konkluzionin se i dënuari e ka gëlltitur,” thuhet në raport.

I burgosuri më tej u nis të sulmonte gjashtë rojet e tjera duke përdorur si armë një fshesë, ndërsa thërriste: “Do t’jua pres fytin si të derrave!”.

Prej incidenti të muajit të kaluar Fanara është transferuar në Sardenja, në burgun e sigurisë së lartë Sassari, shkruna gazeta, duke shtuar se atij i iu dhanë akuza të reja për sulm të rëndë dhe rezistencë ndaj arrestit.