Bill Gates flet për Covid dhe Amerikën, por jo vetëm kaq. “Është për të ardhur keq që shumë deklarata të presidentit Trump e kanë konsideruar vaksinën kundër Covid si një çështje politike”, ka thënë Gates për “La Stampa”.
Ai e cilëson si katastrofale përgjigjen e SHBA ndaj vaksinës dhe paralajmëron që vjeshta do të jetë kërcënuese për të na risjellë dramat e pranverës, nëse nuk do të kryhen ndërhyrjet e duhura.
Megjithatë, ai është optimist në lidhje me vaksinat duke parashikuar se të paktën tre prej tyre do të autorizohen brenda fundit të vitit, ndonëse për të parë fundin e virusit duhet të presim vitin 2022.
“Për fat të keq këtë vit do të flasim për pengesa të ngritura nga pandemia. Impakti në shëndet është një hap që na çon 25 vite pas, ndërsa varfëria ekstreme është rritur me 7%. Duhet ta ndalojmë virusin, por na duhet bashkëpunim global. Të punojmë së bashku për të krijuar vaksinën, për ta prodhuar dhe shpërndarë atë. Aksesi do të bëjë diferencën. Sipas studimeve nga Northeastern University, nëse dy miliardë dozat e para do të shkojnë vetëm për vendet e pasura do të kemi dyfishin e të vdekurve”, tha Gates i cili shprehet pesimist për vjeshtën në hemisferën veriore. “Nëse nuk do të merren masa numri i të vdekurve, edhe në SHBA do të kthehet në nivelet e pranverës. Lajmi i mirë është që kemi disa vaksina premtuese që mund të marrin autorizimin në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Disa mendojnë edhe përpara nëntorit, por kjo nuk mendoj se është e mundur”, ka thënë Gates duke u shprehur se vaksina e parë që do të krijohet mund të mos jetë definitive dhe se do të duhet punë sekondare mbi të.
“Fondacioni Gates është fokusuar në ato që mund të jenë produkte në shkallë të gjerë dhe me një kosto bazike mes 2 apo 3 dollarëve. Këtu përfshihen vaksinat e kompanive, AstraZeneca Oxford, Novavax, Johnson & Johnson dhe Sanofi. Do të punojmë me prodhuesit në vendet në zhvillim, si për shembull “Serum Institute” në India. Nëse do të jenë efikase, edhe një nivel vaksinimi prej 60% do të ndalonte përhapjen eksponenciale të sëmundjes. Vitin e ardhshëm do të ulim numrin e të vdekurve dhe në vitin 2022 pandemia do të mbarojë”.