Lideri i Partisë Laburiste në Britani të Madhe, Jeremy Corbyn ka thënë se ekziston një rrezik i largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje dhe se partia e tij opozitare do të bëjë gjithçka për ta parandaluar një gjë të tillë, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
“Mendoj se ekziston një rrezik i madh i largimit pa marrëveshje, pas largimit të kryeministres nga zyra dhe bazuar në agjendën e kandidatëve për këtë pozitë nga Partia Konservatore”, ka thënë Corbyn.
“Ne do të bëjmë absolutisht gjithçka që mundemi në parlament për ta anashkaluar largimin nga BE-ja pa marrëveshje”, ka thënë ai.
Theresa May, ka njoftuar se më 7 qershor do të largohet nga pozita e lideres së Partisë Konservatore në Britani, duke i hapur rrugën procesit të zgjedhjes së kryeministrit të ri.
Ajo do të luajë rolin e kryeministres derisa të zgjedhet lideri i ri, proces që mund të zgjasë disa javë.
May është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka, pasi plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka dështuar të miratohet në Parlamentin britanik.
Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit.
Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.