Afër 400 milionë euro do t’i duhen Kosovës për të realizuar dy nga projektet infrastrukturore që bëjnë lidhjen mes Prishtinës dhe Beogradit.
Autostrada e Paqes ‘Prishtinë – Merdare’, si dhe linja hekurudhore e relacionit po të njëjtë, janë dy projektet për të cilat në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova është zotuar se do t’i përmbushë.
Financimi i këtyre dy projekteve është thënë se do të bëhet nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC) dhe EXIM (Export-Import) Banka, por që zyrtarë të institucioneve të Kosovës nuk kanë dhënë detaje për mënyrën e financimit të tyre përmes granteve, kredive apo mënyrave të tjera.
Kredi apo grante?
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) do të ndihmojë Qeverinë e Kosovës për të zbatuar projektet e marrëveshjes si dhe do të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha për Radion Evropa e Lirë se në takimet që kanë pasur në Serbi me delegacionin nga Uashingtoni, modalitetet e financimit të projekteve që dalin nga marrëveshja e Uashingtonit janë diskutuar, por nuk është se janë sqaruar.
Ai thotë se është duke u folur për disa mundësi të cilat, siç thotë ai, janë shumë të favorshme për financimin e këtyre projekteve.
“Sigurisht që do të jenë në formë të kombinuar, prej kredive afatgjate me norma të favorshme të interesit dhe në disa raste ka mundësi edhe për grante për shpenzime të ndryshme operative që mund të jenë në projekte të caktuara. Ka disa modalitete që i ka Korporata Financiare Amerikane dhe EXIM Banka, që është bankë amerikane, e që e financon eksportin e kompanive amerikane dhe e cila i ka përmendur edhe disa opsione të granteve për shpenzime operative të kompanive që mund të përfitojnë nga këto”, thotë ai.
Lidhjet infrastrukturore Kosovë-Serbi
Kush janë financuesit e projekteve infrastrukturore?
Korporata Ndërkombëtare për Zhvillim Financiar e SHBA-së (DFC), është bankë e zhvillimit të Amerikës e cila bashkëpunon me sektorin privat duke financuar zgjidhjet e sfidave më kritike me të cilat përballet bota në zhvillim.
DFC investon në sektorë duke përfshirë energjinë, kujdesin shëndetësor, infrastrukturën kritike dhe teknologjinë. DFC po ashtu siguron financim për bizneset e vogla dhe gratë sipërmarrëse, me qëllim krijimin e vendeve të punës në tregjet në zhvillim.
Ndërkaq, Banka EXIM u ofron bizneseve amerikane zgjidhje për t’u mbrojtur nga mospagimi i blerësve të huaj dhe i mbështet ato në eksportin e mallrave dhe shërbimeve amerikane.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ende nuk dihet se kush do t’i financojë projektet që dalin nga marrëveshja, por ka shtuar se DFC-ja është duke parë mundësitë për ta pasur një prezencë të madhe në rajon, duke përfshirë edhe Kosovën, si dhe do të jetë e përfshirë “Banka jonë EXIM, Banka Eksport-Import”.
“Ne shpresojmë po ashtu se do të ketë investime dhe nga sektori privat. Dhe sigurisht investimet evropiane…Unë mendoj se kjo do të jetë një çështje për bisedime intensive në muajt e ardhshëm, por asgjë nuk është vendosur ende”, ka deklaruar ambasadori Kosnett.
“Çdo marrëveshje që lidhet me financim të infrastrukturës është e mirëseardhur. Financimi do të jetë me kredi, për të cilat nuk e dimë se çfarë kredi janë në çfarë kushte po jepen, sa është afati i kthimit dhe norma e interesit. Sidoqoftë, janë kredi që jepen për investime në infrastrukturë, që është jetësore për ekonomi dhe integrim”, thotë ai.
Krijimi i vendeve pune
Investimi në këto projekte infrastrukturore, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, do të krijojë një infrastrukturë strategjike, e cila më pas do të tërheqë një numër të madh të kompanive ndërkombëtare, ku edhe mundësia për krijimin e vendeve të reja të punës rritet.
“Ka një orientim që kompanitë amerikane që janë në Azi të vendosen në këtë pjesë dhe infrastruktura e modernizuar e ndihmon këtë. Kosova mund të shndërrohet në një epiqendër të logjistikës dhe transportit ndërkombëtar. Ndoshta ky efekt nuk shihet menjëherë, por në një periudhë afatmesme do të kthehet në shumë efekte pozitive”, thotë ai.
27 kilometra autostradë, 240 milionë euro
Autostrada Durrës – Morinë – Prishtinë – Merdare – Nish është pjesë e rrjetit Bazik të Transportit në kuadër të Rrjetit Trans – Evropian të Transportit.
Kjo rrugë kalon përmes Kosovës, nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë dhe në Merdare në kufirin me Serbinë, me një gjatësi totale prej 128 km dhe siguron qasjen e vendit në Detin Adriatik dhe në Detin e Zi, duke përmirësuar lidhjet me vendet e tjera të Ballkanit dhe Korridoret Evropiane të Transportit IV dhe X.
Projekti i Autostradës në pjesën e Kosovës, nga Morina në Prishtinë, ka përfunduar dhe është lëshuar në qarkullim.
E ashtuquajtur në marrëveshje Autostrada e Paqes, kjo autostradë, në territorin e Kosovës, është vazhdimësi në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, që ka përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet rreth magjistrales Prishtinë – Podujevë. Mbesin edhe rreth 24 kilometra tjera deri në Merdare.
Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto kilometra të mbetura kanë një kosto prej përafërsisht 240 milionë euro.
BE: Autostrada e Paqes është një lidhje me prioritet
Bashkimi Evropian ndërkohë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shumë prej projekteve të përfshira në marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, janë duke u zhvilluar në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
Projekti për autostradën që lidh Kosovën me Serbinë është një projekt i nisur me herët dhe si i tillë ishte përkrahur edhe nga Bashkimi Evropian.
Ky projekt është i përfshirë edhe në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian. Në këtë kornizë ky projekt figuron se është në përgatitje.
“Rreth 223 milionë euro përfshijnë 5 milionë donacione nga Bashkimi Evropian në asistencë teknike për pjesën Prishtinë-Merdare dhe 230 milionë për pjesën në mes të Nishit dhe Ploçnikut, duke përfshirë 50 milionë euro donacionet për asistencë teknike dhe punime. Derisa Autostrada e Paqes është një lidhje me prioritet, ne presim edhe investime të tjera nga BE-ja”, thotë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së për Partneritete Ndërkombëtare, Fqinjësi dhe Zgjerim.
Ndërkaq në rastin e hekurudhave, BE-ja ka aprovuar 1.4 milion euro donacione për studimit e para-fizibilitetit për sektorë të ndryshëm.
“Disa nga projektet e nënvizuara në Uashington janë të reja dhe duhet të vlerësohen në pjesën e fizibilitetit dhe përputhshmërisë, ashtu sikurse BE-ja planifikon për rajonin. Ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë nga SHBA-ja dhe po shikojmë nga e ardhmja për detaje të tjera rreth kontributit të tyre financiar”, thuhet në përgjigje.
Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë qysh nga vitin 2011.
45 kilometra hekurudhë, 150 milionë euro
Përveç autostradës, në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, është edhe ndërtimi i linjës hekurudhore, Prishtinë – Merdarë. Vlera e këtij segmenti hekurudhor me gjatësi prej 45 kilometra arrin në 150 milionë euro, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 9 shtator, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi.
“Këtu e kemi lënë të hapur mundësinë, nëse traseja ekzistuese do të jetë apo do të bëhet trase tjetër, pasi që dihet që në pjesën që kalon nëpër Prishtinë, ky rrjet apo kjo rrugë ka pasur ndërhyrje të mëdha. Po ashtu edhe tuneli që është i dëmtuar, merr një kosto të madhe të rehabilitimit. Pra, varësisht nëse është kjo trase apo tjetër, ndryshon edhe kostoja”, ka thënë ministri Abrashi.
Kompania “Infrakos” merret me infrastrukturën hekurudhore në Kosovë. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë kompani, Xhevat Ramosaj, nuk ka pranuar të prononcohet për Radion Evropa e Lirë lidhur investimet në këtë hekurudhë.
Por, në një raport të publikuar nga “Infrakos” lidhur me projektet zhvillimore dhe Linjën e 10-të hekurudhore për periudhën korrik – gusht 2020, thuhet se “ka filluar hartimi i projekt-dizajnit preliminar për rehabilitimin gjeneral dhe modernizimin e linjën së 7-të hekurudhore (kufiri me Serbinë – Podujevë – Prishtinë – Fushë Kosovë). Ky projekt-dizajn është në përfundim e sipër, ndërsa afati i përfundimit varet nga situata në terren për shkak të pandemisë me COVID 19”.
Ndryshe, transporti hekurudhor në Kosovë është një nga sistemet më të dobëta në rajon, edhe pse viteve të fundit ka filluar modernizimi i tyre, të financuara me kredi dhe subvencione nga Bashkimi Evropian.