Kancelarja gjermane Angela Merkel ka parashikuar muaj të tjerë të vështirë me pandeminë COVID-19.
Gjermania do të përballet me disa muaj të vështirë për shkak të koronavirusit, paralajmëroi kancelarja gjermane, Angela Merkel, raporton Reuters.
“Gjermania deri më tani ka kaluar pandeminë relativisht mirë falë sjelljes jashtëzakonisht të përgjegjshme të qytetarëve në muajt e fundit, por ne shohim tani që po vjen vjeshta, një fazë e vështirë është përpara”, i tha Merkel parlamentit gjerman.
Gjermania raportoi 1.798 raste të reja me koronavirus të mërkurën, treguan të dhënat e Institutit për sëmundjet infektive, Robert Koch.
Të martën, Merkel diskutoi me udhëheqësit e 16 landeve për të fuqizuar masat kundër pandemisë.
Kufizimet synojnë të shmangin “me çdo kusht” një izolim mbarëkombëtar, tha Merkel, duke shtuar se mbajtja e ekonomisë është një përparësi.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Gjermani ka arritur në mbi 280 mijë ndërsa mbi 9 mijë persona kanë vdekur.
Ndër masat që parashohin autoritetet gjermane është kufizimi i numrit të personave në tubimet private dhe publike.