Vatikani ja njoftuar të mërkurën se ka refuzuar kërkesën e Mike Pompeos për audiencë te Papa Françesku dhe ka akuzuar sekretarin shtetëror amerikan se po tenton të përfshijë Kishën Katolike në zgjedhjet e SHBA-së, shkruan Al-Jazeera.
Vërejtja e Vatikanit ka ardhur pasi Pompeo në disa postime në Twitter ka akuzuar Kishën se ka cenuar “autoritetin moral” me ripërtëritjen e marrëveshjes me Kinën për emërimin e peshkopëve.
Pompeo që të mërkurën qëndroi në Romë, të enjten është dashur të takohet më zyrtarë të Vatikanit. Gjatë qëndrimit në Itali, në një organizim në Ambasadën e SHBA-së, ai ka kritikuar Kinën për shkeljen e lirive fetare.
Dy diplomatët kryesorë të Vatikanit, sekretari shtetëror dhe kardinali Pietro Parolin dhe kryepeshkopi Paul Gallagher, kanë thënë se Papa Françesku ka refuzuar kërkesën e Pompeos për një audiencë, pasi nuk dëshiron të takohet me politikanë në prag të zgjedhjeve.
“Po, ka kërkuar. Por Papa ka thënë qartë se nuk pranon politikanë në kohë zgjedhjes. Kjo është arsyeja”, ka thënë Parolin.
Vatikani dhe Kina kanë firmosur marrëveshje dy-vjeçare për emërimin e peshkopëve kinezë.
Në Kinë, vlerësohet se jetojnë rreth 12 milionë katolikë.
“Marrëveshja e Vatikanit me Kinën është çështje që s’ka të bëjë asgjë me politikën amerikane. Kjo është çështje mes kishave”, ka thënë Parolin.
Pompeo ndërkohë nuk ka folur direkt për marrëveshjen Vatikan – Kinë, por ka thënë se Kina “më së shumti në botë shkel liritë fetare.
“Liritë fetare nuk janë askund të në botë të cenuara sikurse në Kinë”, ka thënë Pompeo duke akuzuar direkt Partinë Komuniste të Kinës.