Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bëtë të ditur se nga janari i vitit të ardhshëm synohet punësimi i rreth 20 aktorëve për Teatrin e Qytetit.
Ahmeti përmes një statusi në Facebook, ka thënë se kjo është një kërkesë e përsëritshme e aktorëve, por që niveli qëndror nuk po i bën zgjidhje.
“Këto ditë kam marr disa mesazhe nga aktorët për Teatrin e Qytetit. Ata kanë të drejtë. Është totalisht e pakuptueshme se si të gjitha qytetet e mëdha në Kosovë kanë trupa rezidente dhe teatro të qytetit ndërsa Prishtina duhet të harrnohet me gjysmë pagesa vit për vit në Dodonë. Problemi është i thjeshtë. Ne kemi buxhet, ne nuk po kërkojmë asgjë nga niveli qendror, përpos të na lejojnë numër shtesë të punësuarve në Dodona. Për këtë kam dërguar disa shkresa në Ministri të Financave”, shkruan Ahmeti.
Sipas tij, çdo buxhet i Kosovës për çdo institucion të Kosovës e ka të caktuar buxhetin për paga, numrin e punëtorëve në çdo departament dhe, siç thotë, “këto nuk na lejojnë t’i lëvizim”.
“Sivjet na kanë lejuar 5 vende shtesë por kjo nuk mjafton për trupë rezidente. Nuk duam gjysmë zgjidhje. Në takimin që kam patur me Ministren e Financave, Hykmete Bajrami dhe Zv Ministrin Agim Krasniqi para një muaji, prapë na është thënë e njëjta gjë. Megjithatë, ne kemi vendosur të bëjmë lëvizje të brendshme. Në buxhetin e vitit 2021, pra prej janarit do të bëjmë rregullime të brendshme për të lejuar më shumë pozita për trupë rezidente të Prishtinës. Synimi është 20 artistë rezidentë. Konkursin do ta bëjmë të hapur dhe transparent. Titullin e artistit rezident do ta bëjmë pozitë të arritshme për artistët ndër më të mirët”, përfundon Ahmeti.