Një verbim i shndritshëm, verbërues që zbehet deri sa zhduket: kështu shuhet një yll. Janë imazhet e jashtëzakonshme të një supernove, të fiksuara nga teleskopi hapësinor Hubble i NASA-s dhe Agjencisë Hapësinore Evropiane.
Supernova, i quajtur SN 2018 gv, është ndezur brenda galaksisë spirale ngc 2525, rreth 70 milionë vite dritë larg sistemit diellor, në yjësinë Puppis të hemisferës jugore.
Shpërthimi i fiksuar nga Hubble është rezultat i një viti vëzhgimi në kuadër të programit të kërkimeve të Hubble të supernova-ve.
Shpërthimi i një supernove, një yll që shuhet pasi ka ezauruar bërthamën e tij të djegshme, është mes fenomeneve më të dhunshëm dhe më brilantë të kozmozit, me një ndriçim që është deri në 5 miliardë herë më i fortë se ai i diellit.
Asnjë spektakël piroteknik tokësor nuk mund të konkurrojë me këtë supernovë të fiksuar në gjithë madhështinë e saj – shpjegojnë ekspertët.
Analizimi i këtyre shpërthimeve, është i rëndësishëm sepse mund të ndihmojë astronomët të përllogarisin distancën e galaksive në të cilat ndodhen.
Bëhet fjalë për informacione të çmuara, përfundojnë ekspertët, për të matur shkallën e zgjerimit të universit që sipas teorive aktuale kozmologjike po përshpejtohet.