Fjalë Kyçe

Infektohet me koronavirus humb dëgjimin 45 vjeçari nga Britania

Infektohet me koronavirus humb dëgjimin 45 vjeçari nga Britania

Një burrë 45 vjeç e humbi papritmas dëgjimin për shkak të sëmundjes Covid-19, thanë mjekët që ishin duke e trajtuar këtë person. Ky është rasti i parë i humbjes së dëgjimit për shkak të koronavirusit në Britani.

Pacienti i paidentifikuar, i cili vuante nga astma por në përgjithësi kishte shëndet të mirë, u mbajt në repartin e kujdesit intensiv pas infektimit me koronavirus, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Pas qëndrimit të gjatë në spital, ai u ankua se e ka humbur dëgjimin në veshin e majtë. Ky person më parë nuk kishte problem në veshë ose në të dëgjuar.

Ai pësoi të ashtuquajturën humbje sensorineurale të dëgjimit, për të cilën shkencëtarët thonë se mund të shkaktohet nga viruset, përfshirë virusin HIV dhe sifilizin. Mjekët që po merren me këtë pacient thonë se atij i është kthyer dëgjimi pjesërisht.

Ky është rasti i parë i humbjes së dëgjimit në Britani që nga mjekët lidhet me infektimin me koronavirus. Katër raste të tjera janë regjistruar në tërë botën.

Ndryshe, shkencëtarët në Universitetin e Mançesterit më parë kanë thënë se një në tetë pacientë të koronavirusit mund të vërejnë ndryshime në të dëgjuar pas përballjes me sëmundjen Covid-19.