Italia raportoi 10,925 raste të reja me coronavirusi, shifra më e lartë e arritur në vend që kur vendi u përball me pandeminë.
Bazuar në të dhënat e Worldometer, numri i përgjithshëm i të prekurve në vend u rrit në 402 mijë, ndërsa deri më tani kanë ndërruar jetë rreth 36 mijë persona.
Shifra të frikshme së fundmi janë parë edhe në disa vende të tjera evropiane sikurse në Britani të Madhe; Francë, Çeki, Poloni, Spanjë, Holandë, Gjermani si dhe në Holandë.
Italia në stinën e pranverës kishte qenë epiqendra e shpërthimit të coronavirusit në Evropë, ndërsa të shtunën, vendi raportoi shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në të dyja valët.
Vala e dytë e coronavirusit në Evropë mori një kthesë dramatike për keq këtë javë, duke detyruar qeveritë në të gjithë kontinentin të bëjnë zgjedhje të vështira pasi më shumë se një duzinë vendesh raportuan numrin e tyre më të lartë të infeksioneve të reja.
Në Francë, 18 milionë njerëz në nëntë qytete të mëdha rrezikojnë një gjobë nga e shtuna nëse nuk janë në shtëpi deri në orën 21:00, transmeton Telegrafi.
Në Republikën Çeke, shkollat janë mbyllur dhe studentët e mjekësisë po regjistrohen për të ndihmuar mjekët. Të gjithë baret dhe restorantet holandeze janë të mbyllura.
Gjithashtu Austria, Belgjika, Republika Çeke, Franca, Gjermania, Italia, Holanda dhe Polonia janë midis vendeve që kanë “thyer rekordin për të dhënat ditore të rasteve”, duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të bëjë thirrje për një përpjekje “pa kompromis” për të ndaluar përhapjen.