Udhëheqësit evropianë dhanë alarmin për një dimër të zymtë pas rritjes së rasteve nga coronavirusi, derisa të njëjtit filluan implementimin e kufizimeve të reja në një përpjekje për të parandaluar valën e dytë të pandemisë.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, më shumë se 42 milionë njerëz janë infektuar globalisht nga coronavirusi ndërsa 1.1 milion të tjerë thuhet të kenë ndërruar jetë
Vaksina nga Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me AstraZenecan si duket ka dhënë rezultate pozitive, gjë që tregoi se trajtimi ka prodhuar përgjigje imune tek të moshuarit ashtu si edhe tek të rinjtë.
Ndërkohë, sekretari britanik i shëndetësisë, Matt Hancock, paralajmëroi se vaksina nuk do ishte në dispozicion gjerësisht deri në vitin e ardhshëm.
Një vargë shtetesh evropiane raportuan rritje rekorde të rasteve me coronavirus, sikurse Franca e cila regjistroi të dielën 52 mijë infeksione brenda 24 orëve të fundit.
Qeveritë dëshirojnë të shmangin bllokimet e reja që frenuan sëmundjen në fillim të këtij viti, por rritja e vazhdueshme ka bërë që ato të shtrëngojnë disa prej masave.
“Ne do të përballemi me muaj shumë të vështirë”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Ndonëse Gjermania krahasuar me vendet e tjera evropiane radhitet më mirë për sa i përket pandemisë, ajo ka raportuar rritje të ashpra kohëve të fundit.
Në anën tjetër, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend.
Italia gjatë ditës së djeshme njoftoi që do të mbyll pishinat, palestrat dhe kinemat, si dhe në bazë të vendimit të ri, restorantet dhe baret duhet të mbyllen nga ora 18:00.
Rritjet e rasteve nga coronavirusi në vendet evropiane raportohen të jenë dukshëm më të larta se sa në valën e parë të pandemisë.