Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka prezantuar sot masat e reja të ashpra në luftën kundër koronavirusit.
“Sot kam vendosur se duhet të kthehemi te mbyllja që e stopoi virusin. Kjo vlen për gjitha territoret tona nacionale, me përjashtim të disa modifikimeve për rajone dhe territore që janë jashtë vendit. Si në pranverë, do të jeni në gjendje të dilni nga shtëpia vetëm për të punuar, për ndonjë vizitë mjekësore, për t’i ofruar asistencë dikujt të afërt, për të bërë blerjet esenciale dhe për të ushtruar afër shtëpisë suaj. Kjo mbyllje do të jetë ndryshe në tri çështje kryesore: shkollat do të mbesin hapur, puna do të vazhdojë, shtëpitë e kujdesit dhe të moshuarve mund të vizitohen”, ka deklaruar Macron, raporton agjencia Reuters.
Franca në 24 orët e fundit ka regjistruar 244 të vdekur si pasojë e COVID-19, duke e çuar shifrën totale të vdekurve në 35.785.
Po ashtu në 24 orët e fundit janë regjistruar 36.437 të infektuar të rinj, ndërsa shifra totale ka arritur në 1.235.132.