Një i pastrehë në Itali është gjobitur pasi gjatë karantinës ka dalë nga shtëpia. 63-vjeçari me emrin Pasquale është ndëshkuar me 280 euro gjobë në 19 nëntor nga Policia e Komos, për shkelje të masave antikoronavirus.
Efektivët e panë të moshuarin në qendër të qytetit, aty ku ai kishte zënë vend, dhe e gjobitën. Edhe pse zyrtarisht ka shtëpi, Pasquale Giudice ka 10 vite që jeton në rrugë dhe e mban frymën gjallë duke kërkuar lëmoshë.
Lexo Edhe:
Gjendje e rëndë në Gjermani, shënohen mbi 250 viktima të COVID-19 për një ditë
Angelo Orsenigo, këshilltari rajonal i demokratëve në Komo, e konsideroi masën ndëshkuese “qesharake dhe mizore”.
“Është qesharake dhe mizore që të ndëshkohet një person që nuk ka se ku të futet për të respektuar karantinën. I kërkoj autoriteteve që ta tërheqin gjobën jo vetëm sepse është e pamundur që të paguhet nga i moshuari, por edhe për faktin se përforcon përshtypjen se Komo dhe institucionet e tij nuk kanë mëshirë për të varfërit në një moment kaq të vështirë që po kalojmë”, u shpreh Orsenigo.