Fjalë Kyçe

Kur do t’i rikthehemi normalitetit, parashikimi i 700 epidemiologëve për atë që na pret

Kur do t’i rikthehemi normalitetit, parashikimi i 700 epidemiologëve për atë që na pret

Nga Margot Sanger-Katz, Claire Cain Miller and Quoctrung Bui, New York Times.

Edhe me vaksinat kundër koronavirusit që janë pothuajse gati, shumë epidemiologë nuk presin që jeta e tyre të kthehet në normalitetin që ka qenë para-pandemisë derisa shumica e amerikanëve të vaksinohen.

Pavarësisht se në shumë vende janë lehtësuar masat, përsëri njerëzit tregohen shumë të kujdesshëm për sa i përket aktiviteteve të jetës së tyre të përditshme.

Në një sondazh të ri nga The New York Times, i cili përfshin 700 epidemiologë, gjysma prej tyre kanë deklaruar së nuk do të ndryshonin sjelljen e tyre derisa të vaksinohej të paktën 70 përqind e popullsisë. 30% përqind thanë se do të ndryshonin disa gjëra nga jeta e tyre e përditshme sapo të vaksinoheshin.

Një pakicë e epidemiologëve tha se nëse do të shpërndaheshin gjerësisht vaksinat, amerikanët do t’i riktheheshin normalitetit këtë verë: “Unë jam optimist se rezultatet inkurajuese të vaksinave do të na rikthejnë në normalitet verën e vitit 2021, ”tha Kelly Strutz, një asistente në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Por epidemiologët janë një grup shumë i kujdesshëm. Shumica thanë që edhe me zhvillimin e vaksinave, do të duhej ndoshta një vit ose më shumë që shumë aktivitete të rifillonin në mënyrë të sigurt.

Karin Michels, epidemiologe në UCLA, tha se ndoshta do të duheshin vite derisa t’i riktheheshim normalitetit. Ne duhet të mësojmë të jetojmë më virusin, tha ndër të tjerash ajo.

Epidemiologët shqetësohen për shumë të panjohura, përfshirë sa zgjat imuniteti; mutacionet e virusit; sfidat e shpërndarjes së vaksinave; dhe ngurrimi i disa personave për t’u vaksinuar .

Në prag të dimrit, epidemiologët po praktikojnë masa paraprake të rrepta dhe zgjidhje të reja, shumë më të rrepta se ato të shumë amerikanëve të zakonshëm. Megjithatë, ato masa paraprake kanë evoluar që nga pranvera e kaluar, pasi shkencëtarët kanë mësuar më shumë se si përhapet koronavirusi dhe çfarë e parandalon atë.

Vetëm 3 nga 23 aktivitetet që u shqyrtuan në studim, ishin pjesë e aktiviteteve kryesore që të anketuarit kishin praktikuar muajin e fundit: grumbullimi në natyrë me miqtë; përdorimi i postës dhe blerjet në dyqane apo farmaci.

Epidemiologët pothuajse kanë shmangur plotësisht të gjitha aktivitetet e tjera të jetës para-pandemike – përfshirë aktivitetet që shumë amerikanë po bëjnë tani. Asnjë prej tyre nuk kishte marrë pjesë në një ngjarje sportive, ose koncert; u takuan me dikë që nuk e njihnin mirë; ose morën pjesë në një martesë ose funeral.

Të jem pranë njerëzve që nuk njoh, nuk më bën të ndihem i sigurt, tha Ellicott Matthay, një studiues në Universitetin e Kalifornisë, San Francisco.

Tre të katërtat e të anketuarve thanë se kishin në plan t’i kalonin Krishtlindjet, ose pushimet e tjera dimërore vetëm me anëtarët e familjes së tyre, ose të mos festonin fare, njësoj siç ndodhi me Festën e Falënderimeve.

Kur u pyetën për aktivitetet më të sigurta dhe më të rrezikshme në listë, shumica e epidemiologëve ranë dakord mbi këto parime të përgjithshme: Ata janë më pak të shqetësuar për aktivitetet në natyrë dhe për prekjen e sipërfaqeve të ndryshme dhe më shumë të shqetësuar për aktivitetet në ambiente të mbyllura dhe grumbullimet me shumë persona. Por, epidemiologët nuk ranë dakord të gjithë për sa i përket vlerësimit të rrezikut.

“Vendet e mbyllura me shumë njerëz janë situata më e rrezikshme”, tha Leland Ackerson i Universitetit të Massachusetts.

Shumica e epidemiologëve mendojnë se njerëzit do të duhet të presin një vit ose më shumë për t’iu rikthyer jetës së përditshme.

Këtë herë, ndërsa përhapja e virusit është përkeqësuar, por trajtimet janë përmirësuar, pyetjet rreth epidemiologëve janë përqendruar se si e kanë kaluar periudhën e pandemisë.

“Është qesharake: Më përpara kam qenë optimist se SHBA-të do të ishin në gjendje të menaxhonin situatën në kohën dhe momentin e duhur”, tha Rachel Widome, profesor i asociuar në Universitetin e Minesotës. Por kam gabuar, gjërat dolën jashtë kontrollit.

Shumica e shkencëtarëve kanë deklaruar se rreth 70 për qind e popullsisë do të duhet të jetë imune që Shtetet e Bashkuara të arrijnë imunitetin e tufës. Imuniteti i tufës është thelbësor, që njerëzit të rifillojnë jetën në mënyrë të sigurtë dhe mënyra më e shpejtë dhe e sigurt për ta arritur atë është përmes vaksinimit.

Moncef Slaoui, i cili po udhëheq programin e qeverisë për zhvillimin e vaksinave Operation Warp Speed, tha këtë javë se vaksinimi i amerikanëve do të rifillojë shumë shpejt dhe deri në fillim të verës do të arrijmë imunitetin e tufave. Por shkencëtarët ende nuk e dinë nëse njerëzit e vaksinuar mund të përhapin virusin.

Gati një e treta e të anketuarve thanë se do të ishin të kënaqur t’i riktheheshin jetës së përditshme pasi të vaksinohen.

Disa thanë se do të ndiheshin më komod dhe të sigurt duke bërë vetëm disa gjëra, si të shoqërohen me njerëz të cilët gjithashtu janë vaksinuar. Disa thanë se do të prisnin derisa vendi të kishte arritur pragun e imunitetit të tufës dhe gjithashtu të ishin vaksinuar vetë.

“Do të ndryshoja disa sjellje, por jo të gjitha”, tha Gabriela Vazquez Benitez.

“Do më pëlqente të ikja në udhëtime të vogla, tubime në ambiente të mbyllura me të afërmit e mi dhe miqtë më të ngushtë kur të vaksinohem, por deri atëherë do më duhet të praktikoj masat paraprake të sigurisë të tilla si mbajtja e maskës dhe distanca sociale”.

Që nga pranvera, 79 përqind e epidemiologëve thanë se vlerësimi i rreziqeve të ndryshme kishte ndryshuar dhe se ata kishin përshtatur sjelljen në përputhje me rrethanat. Shkenca është një proces, thanë ata, dhe virusi është i ri, kështu që edhe ata që e studiojnë nga afër kanë mësuar të reja gjatë rrugës.

Disa thanë se ishin më pak të shqetësuar se pranvera e kaluar për grumbullimin në ambiente të jashtme, prekjen e sipërfaqeve ose dërgimin e fëmijëve të vegjël në shkollë. Ata ishin më të shqetësuar për transmetimin në ambiente të mbyllura dhe rreziqet për mos mbajtjen e maskave.

Rreth 8,000 epidemiologëve iu kërkua të merrnin pjesë në studim por vetëm 700 prej tyre morën pjesë, në hulumtimin që u krye nga data 18 nëntor deri në 2 dhjetor.

Në përputhje me moton e tyre profesionale, shumë theksuan se përgjigjet e tyre mund të ndryshonin në varësi të rrethanave. Fraza ” kjo varet ” u përdor 45 herë në përgjigjet e tyre.

“Kjo varet tërësisht nga ajo që ne bëjmë si komb për të adresuar pandeminë”, tha Emeli Anderson. “Tani për tani, ne nuk po bëjmë aq sa duhet.”

Shumë epidemiologë shprehën zhgënjim që mesazhet e shëndetit publik nuk kishin qenë më efektive dhe se një pjesë në rritje e amerikanëve duket se nuk i besonin më shkencës. Ata kishin frikë se politizimi i masave si mbajtja e maskave dhe qëndrimi në shtëpi do të kishte pasoja afatgjata.

“Ky virus më ka përulur mua si një profesionist dhe një person,” tha Michelle Odden, pedagoge e asociuar e epidemiologjisë në Stanford.
Disa prej tyre theksuan se normaliteti mund të rikthehej gjatë verës, falë vaksinave.

“Unë mendoj që mbajtja e një maske do të bëhet pjesë e jetës sime të përditshme, edhe pasi të jemi vaksinuar,” tha Amy Hobbs, një bashkëpunëtore kërkimore në Shkollën e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg.

Shumë thanë se kishin në plan të vazhdonin të punonin nga shtëpia të paktën pjesën më të madhe të kohës.

Disa prej tyre thanë se nuk do të përshëndesnin më njerëzit si më përpara, dhe se do përpiqeshin të shmangnin vendet e mbushura me njerëz ose të udhëtonin jashtë.

“Unë mendoj se do të kalojnë shumë vite përpara se njerëzit të mblidhen në grupe të mëdha njerëzish në vende publike apo të udhëtojnë më avion në vende të ndryshme të botës, tha Beth Molnar, një pedagoge.

Disa të tjerë kanë paralajmëruar se edhe kur pandemia të jetë zhdukur, ka të ngjarë të jenë afatgjata shumë pasoja të tjera. Ata përmendën efektet e izolimit në zhvillimin e trurit të fëmijëve; ekspozimi i pabarazive të thella në kujdesin shëndetësor; dhe frika nga kaq shumë sëmundje dhe vdekje.

“Kujdesi shëndetësor mendor do të vazhdojë të jetë thelbësor”, tha Daniel Vader, një studiues i doktoraturës në Universitetin e Pensilvanisë.
“Kjo është një periudhë traumatike, dhe shumë prej nesh janë të trishtuar për pjesën tjetër të jetës tonë.”

Si do të jetë jeta jonë pas vaksinimit, sipas epidemiologëve

“Nëse do të vaksinohej më shumë se gjysma e popullsisë, unë do të ndihesha pak më e stresuar dhe e shqetësuar. Në fakt mund të ndihem shumë komode nëse do të ha në një restorant ose të takoj përsëri miqtë e mi si përpara, nëse kjo është e mundur. ”

Vijaya L. Seegulam, menaxhere e projektit kërkimor, Universiteti i Bostonit

“Vaksinimet janë bërë një çështje politike në këtë vend. Unë mund të kontrolloj vetëm veprimet e mia. Kështu që sapo të vaksinohesha, do të ndihesha më rehat.

Michaela George, pedagoge në Universitetin e Kalifornisë

“Sapo unë dhe familja ime të vaksinohemi, unë do të ndryshoja mënyrën se si do të sillesha, por nuk mund të imagjinoj më veten time në një turmë ose të marr pjesë në ndonjë ngjarje të mbushur me njerëz derisa të vaksinohen 80 përqind ose më shumë e popullsisë.”

Julie Bettinger, pedagoge e asociuar, Universiteti i British Columbia

Si dhe kur do të kthehet jeta në normalitet?

“Për disa, jeta është kthyer në normalitet, ndërsa për njerëzit më të kujdesshëm do të duhen të kalojnë dy deri tre vite para se gjërat të kthehen në normalitet, të paktën në SHBA”

Cathryn Bock, pedagoge e asociuar, në Universitetin Shtetëror të Wayne

“Normaliteti i ri do të përfshijë mbajtjen e maskave për 12 deri në 18 muajt e ardhshëm dhe ndoshta për vitet e ardhshme. Ky është një ndryshim i paradigmës.”

Roberta Bruhn, drejtoreshë, në Institutin e Kërkimeve Vitalant

“Unë mendoj se vaksinimi i gjerë i qytetarëve do të rezultojë në relaksimin e mëtejshëm të shumicës së masave paraprake nga mesi i fundit të verës 2021.”

Michael Webster-Clark, student i doktoraturës në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill

“Është e vështirë për mua të imagjinoj nëse ndonjëherë jeta jonë do të rikthehet në normalitet por unë mendoj se masat e reja parandaluese që na është dashur të miratojmë, si maska, do të bëhen diçka normale me kalimin e kohës. Unë jam optimiste se ne do të vendosim një lloj normaliteti të ri”

Marilyn Tseng, asistente-pedagoge në Cal Poly

“Jeta nuk do të jetë kurrë e ngjashme me vitin 2019, kurrë më ”.

Vasily Vlassov, profesor, Universiteti HSE, Moskë

Cilat gjëra nuk do të kthehen më në normalitet?

“Marrëdhëniet e mia me njerëzit që e kanë marrë lehtë këtë pandemi dhe kanë injoruar mesazhet dhe rekomandimet e shëndetit publik.”

Victoria Holt, pedagoge në Universitetin e Uashingtonit

“Çdo pjesë e jetës sime të përditshme që përfshin ndërveprim me këdo tjetër përveç bashkëshortit tim.”

Charles Poole, pedagog në Universitetin e Karolinës së Veriut

“Qëndrimi në shtëpi me fëmijët e mi më ka mësuar se jeta me më pak detyra dhe më me pak aktivitete është disi më e bukur. ”

Jennifer Nuzzo, pedagoge në Johns Hopkins

“Unë nuk do të udhëtoj për një kohë të gjatë me familjen time.”

Alicia Allen, asistente-pedagoge në Universitetin e Arizonës

“Nuk do të më duhet kurrë të shpjegoj se çfarë është puna e një epidemiologu.”

Janet Rich-Edwards, profesor i asociuar, Harvard. Përktheu Sonila Backa.