Fjalë Kyçe

Në SHBA jepet vaksina e parë kundër COVID-19

Në SHBA jepet vaksina e parë kundër COVID-19

Vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19 nisi të hënën në Shtetet e Bashkuara – vendin me numrin më të lartë të të infektuarve dhe viktimave.

Një infermiere e kujdesit intensiv në Llong Ajllënd të Nju Jorkut u bë personi i parë që mori vaksinën Pfizer/BioNTech në SHBA.

“Vaksina e parë e administruar. Urime SHBA! Urime botë!”, shkroi presidenti amerikan, Donald Trump, në Twitter.

Miliona doza të vaksinës janë duke u shpërndarë në SHBA, ndërsa 150 spitale pritet t’i marrin ato vetëm gjatë ditës së sotme.

Programi i vaksinimit synon të arrijë 100 milionë amerikanë deri në muajin prill.

Vaksina Pfizer/BioNTech e ka marrë të premten autorizimin për përdorim emergjent nga Administrata për Ushqim dhe Barna e SHBA-së.

SHBA-ja ka konfirmuar mbi 72 milionë raste me COVID-19 dhe afro 300,000 viktima.

Vaksina Pfizer/BioNTech – një bashkëpunim midis një gjiganti farmaceutik amerikan dhe një kompanie gjermane të bioteknologjisë – ofron mbrojtje deri në 95% dhe është vaksina e parë kundër COVID-19 që aprovohet nga rregullatorët amerikanë.

Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar ka nisur vaksinimin e popullatës me Pfizer/BioNTech.

Vaksinat e para, kudo në botë, është thënë se do t’i marrin punonjësit shëndetësorë dhe grupet e njerëzve më të rrezikuar – kryesisht të moshuarit.