Qeveria e Suedisë do të ketë fuqi të mbyllë qendrat tregtare dhe transportin publik nga 10 janari, e po ashtu edhe të gjobisë persona nëse i thyejnë rregullat, me ligjin e ri të propozuar të hënë me të cilin synon ta ndalojë përhapjen e koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.
Deri më tash, Suedia është mbështetur kryesisht në vullnet të qytetarëve për të mbajtur distancën sociale, duke u dalluar nga shtetet tjera në Evropë që kanë aplikuar mbyllje për të luftuar COVID-19.
“Në një situatë shumë serioze, Qeveria do të jetë në gjendje të vendosë në masa më të ashpra për të parandaluar tubimet. Kjo përfshinë mbylljen e shitoreve, transportit publik, qendrave tregtare dhe bizneseve tjera që mund të preken nga ky ligj”, ka thënë ministrja e Shëndetësisë, Lena Hellengren, në konferencë për media.
Derisa Qeveria e Suedisë ka insistuar se ka besim te qytetarët se do të respektojnë masat, ajo ka thënë se do të marrë masa ligjore nëse është e nevojshme.
Ligji do të qëndrojë në fuqi deri në shtator, në rast se nuk rinovohet.
Qeveria planifikonte ta prezantonte ligjin në mars, por ka nxituar pasi vala e dytë e infeksionit ka vënën nën presion Shëndetësinë.
Suedia ka regjistruar 6.609 raste të reja me koronavirus të mërkurën e kaluar, shifra më e lartë e raportuar ndonjëherë në këtë vend. Deri më tash ka regjistruar 8279 raste të vdekjes nga COVID-19.