Para disa ditësh, më 13 janar, Abdulatif Arnauti e festoi 90-vjetorin në një rreth të ngushtë në Damaskun e mbuluar me terrin e pasluftës, por nuk i mungonin ca urime prej Prishtinës, Parisit, Bostonit e gjetiu, nga familja e shpërndarë e miq të qëndrueshëm.
Abdulatif Arnauti është figurë e njohur për gjeneratën e vjetër dhe të mesme, e sidomos për intelektualët e Kosovës, në saje të pjesëmarrjes së tij të vazhdueshme në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën dhe Letërsinë Shqiptare (siç quhej) dhe të përkthimeve të tij të shumë krijuesve të Kosovës e të Shqipërisë në gjuhën arabe.
A. Arnauti lindi në Damask më 13 janar 1931 në një familje e shpërngulur nga Dobçrlluka e Vushtrrisë, e cila u detyrua të shpërngulej gjatë Luftës ballkanike e të vendosej më vonë në lagjen shqiptare në Damask. Për koloninë shqiptare në Damask, A. Arnauti ishte prej gjeneratës së parë që vazhdoi shkollimin në arabisht dhe dha kontributin e vet në afirmimin e kulturës shqiptare në botën arabe. Pas një ndërprerjeje prej trungut, ardhja e opozitës antikoministe nga Kosova e Shqipëria, në Damask gjatë viteve 1946-1948, me politikanë, intelektualë e ushtarakë (Xhafer Deva, Adem Dushi, Mul Bajraktari, Xhelal Bushati e të tjerë ) e freskoi Abdulin me gjuhë e literaturë shqipe.
Ndonëse pas shkollimit ka filluar të punojë në arsim e më vonë në Ministrinë e Arsimit, A. Arnauti filloi herët të interesohej për prezantimin e letërsisë shqipe në gjuhën arabe në saje të literaturës së re që arriti në Damask. Kështu, në moshën 20-vjeçare e përktheu dhe e botoi në arabisht vjershën “Jetimi” të Ndre Mjedës, e cila u botua në revistën siriane “al-Janbu” më 2 korrik të vitit 1951. Një vit më vonë përktheu dhe botoi vjershën “Ngushëllim” të Vehbi Ronës e të tjera. Me këtë mund të thuhet se A. Arnauti është përkthyesi i parë që prezantoi letërsinë në Siri, kurse i dyti në nivel të botës arabe pas Vehbi Ismailit (1919-2008).
Pas stabilizimit dhe avancimit në punë, në Ministrinë e Arsimit, A. Arnauti u bë shumë aktiv në vitet ‘60 të shekullit XX, në dy drejtime të ndërsjella: krijimi i poezisë në gjuhën arabe me motive shqiptare