Presidenti amrikan, Donald Trump ka falur ish-këshilltarin e tij, Steve Bannon, në kuadër të valës së fundit të faljeve dhe ndryshimeve të dënimeve, pak para se të largohet nga zyra e presidentit më 20 janar.
Trump ka bërë 143 falje dhe ndryshime dënimesh për një numër të madh individësh, përfshirë një ish-mbledhës të fondeve, republikan, një reper dhe një ish-kryetar qyteti.
“Presidenti Donald Trump ka siguruar falje për 73 individë dhe ndryshime të dënimeve për 70 individë tjerë”, ka thënë administrata e tij përmes një deklarate.
Fati i Bannonit, një këshilltar me ndikim te Trumpi, i cili i ka ndihmuar të menaxhojë fushatën presidenciale të vitit 2016, është shikuar me shumë vëmendje.
Ai është përballur me akuza federale për mashtrim të njerëzve, teksa ka mbledhur fonde për ndërtim të murit në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Ai ka thënë se nuk është fajtor për akuza që rëndojnë mbi të.
Ndonëse ka pasur spekulime në media, Trump nuk ka falur vetën, vajzën e tij, Ivanka, dhëndrrin, Jared Kushner, dhe dy djemtë e tij, Donald Junior dhe Eric.
Ai po ashtu nuk ka përfshirë në listë as avokatin e tij personal, Rudy Giuliani, i cili ka mbështetur pretendimet e rreme të Trumpit për mashtrime zgjedhore në zgjedhjet e 3 nëntorit, të fituara nga demokrati, Joe Biden.
Trump pritet të largohet nga Washingtoni më 20 janar në mëngjes dhe të niset drejt klubit të tij Mar-a-Lago në Florida./REL