Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi dhjetë urdhra ekzekutivë për forcimin e luftës kundër koronavirusit.
Me urdhrat e rinj, vaksinimi do të përshpejtohet dhe testimi do të rritet.
Legjislacioni i emergjencës do të përdoret për të rritur prodhimin e gjërave themelore, të tilla si maskat.
Duke i bërë publike këto masa, Biden tha se do të duhen muaj për të mposhtur pandeminë, por shtoi se Amerika do t’ia dalë, nëse njerëzit bëhen bashkë.
Masat e reja vijnë një ditë pasi Biden është inauguruar si presidenti i 46-të i SHBA-së.
Politika e Bidenit duket si një strategji kombëtare, ndryshe nga ajo e paraardhësit të tij, Donald Trump, që ua ka lënë shteteve të vendosin se çfarë është më mirë.
Administrata Trump është kritikuar gjerësisht për dështim në kontrollimin e pandemisë.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i goditur në botë nga koronavirusi.
Afro 24.5 milionë njerëz atje janë infektuar, ndërsa mbi 406,000 kanë vdekur.
Edhe pse urdhrat ekzekutivë nuk kërkojnë miratimin e Kongresit, shumica e fondeve për masat e planifikuara përfshihen në një paketë stimuluese prej 1.9 trilion dollarësh, që Biden ka shpallur javën e kaluar.
Biden do të ketë nevojë për bashkëpunim nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve për miratimin e paketës masive.