Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi një mori urdhrash ekzekutivë, derisa shpalosi një strategji kombëtare kundër pandemisë së tërbuar të koronavirusit.
Dhjetë urdhrat, mes tjerash, synojnë t’i japin hov programit të vaksinimit, të zgjerojnë testimin dhe veshjen e maskave, si dhe të rrisin mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, që do të ndihmonin në krijimin e politikave.
Udhëtarët nga jashtë do të duhet të kenë test negativ kundër koronavirusit dhe të futen në karantinë pas mbërritjes në SHBA.
Biden po ashtu i udhëzoi agjencitë të përdorin Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes – një kompetencë kjo e kohës së luftës, që e lejon qeverinë të udhëzojë industrinë për të prodhuar furnizime të nevojshme në kohë të emergjencës kombëtare.
“Kjo është një ndërmarrje e kohës së luftës”, tha Biden derisa nënshkroi urdhrat në Shtëpinë e Bardhë.
“Plani ynë nis me një fushatë agresive, të sigurt dhe efektive të vaksinimit, që synon përmbushjen e qëllimit tonë për administrimin e 100 milionë dozave në 100 ditët tona të para në zyrë”, tha Biden.
Biden e ka bërë luftën kundër koronavirusit prioritetin e tij kryesor. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Donald Trump, Biden planifikon të ketë strategji kombëtare, me përfshirje më të madhe të qeverisë federale, dhe jo t’ua lë shteteve veç e veç të vendosin se çfarë është më mirë.
Biden i zvogëloi pritjet, duke thënë se situata ka të ngjarë të përkeqësohet përpara se të përmirësohet. Ai tha se numri i viktimave në SHBA mund të kalojë 500,000 muajin e ardhshëm. Këtë javë kaloi mbi 400,000.
Biden tha se më shumë amerikanë kanë vdekur tashmë në pandemi, sesa gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, duke marrë dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit.
Edhe pse Qeveria amerikane, deri më tani, ka dërguar rreth 38 milionë doza të dy vaksinave të miratuara në shtete, vetëm 17.5 milionë prej tyre janë dhënë, kanë bërë të ditur Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Biden po ashtu premtoi se do të jetë transparent dhe se do t’i lejojë shkencëtarët të punojnë të lirë nga ndërhyrjet politike.
“Jam i bindur se populli amerikan është i gatshëm të mos kursejë asnjë përpjekje për ta kryer këtë. Ne mund ta bëjmë këtë nëse jemi bashkë”, tha Biden.
Më vonë, këshilltari kryesor mjekësor, Anthony Fauci, foli për shpërndarjen e vaksinave dhe tha se administrata Biden po e “përforcon” programin.
Nëse, siç shpresohet, 70-85% e popullsisë vaksinohet deri në fund të verës, ne do të kemi “një shkallë normaliteti” deri në vjeshtë, tha Fauci.
Ai tha se shqetësimi i tij kryesor është t’i bindë njerëzit që janë skeptikë rreth vaksinës, për ta marrë atë.
Fauci shtoi se administrata është në bisedime me prodhuesit, për të prodhuar më shumë vaksina.
Fauci, i cili ka shërbyer edhe nën Trumpin, mirëpriti qëndrimin e administratës së re ndaj shkencës.
“Ideja që mund të vini këtu dhe të flisni për atë që dini dhe cilat janë provat, çfarë është shkenca… është një ndjenjë çliruese”, tha dr Fauci.
Administrata Trump është kritikuar për mungesë strategjie në nivel federal.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, me mbi 24.6 milionë të infektuar dhe mbi 410,000 viktima.