Një stuhi bore e dendur vazhdon ta mbajë të paralizuar transportin në disa pjesë të Gjermanisë dhe në Holandë.
Stuhia Darsi, siç e kanë quajtur meteorologët holandezë, shtyu të dielën fluturimet, udhëtimet me tren dhe kryerjen e testimeve në qendrat e kovidit-19.
Bora e trashë mjaftoi për të bllokuar edhe maunet e mëdha në zonën gjermane të Bavarisë.
“Isha bllokuar dhe më erdhi në ndihmë mbrojtja civile. Më tërhoqën deri te pika e karburantit.“- Oliver Fasfat.
“Bora ka arritur të paktën 30 centimetra. Qëndrojmë në detyrë për pastrimin e rrugëve por me kaq shumë borë sa po bie, nuk ka shanse ta mbajmë autostradën të pastër.”- Sven Deubler
Në zonat e Hamburgut dhe Hanoverit u bë i pamundur transporti hekurudhor.
Në qytetet gjermane dhe holandeze, disa banorë zgjodhën të zbaviten me borën edhe pse temperaturat arrinin nën 5 gradë Celsius.
Autoritetet e Holandës njoftuan nivelin më të lartë të emergjencës prej stuhisë së fundit që do të zgjatë edhe 10 ditë të tjera.
Belgjika po ashtu regjistroi një sasi të lehtë dëbore ndërsa në Britaninë e Madhe po pritet që rrymat ajrore të depërtojnë nga juglindja.
Meteorologët britanikë e kane etiketuar stuhinë që po shkon atje, “Bishën e Dytë nga Lindja”, pasi e para në 2018-n, zbardhi vendin për 10 ditë me radhë.