Senati i Shteteve të Bashkuara nisi të martën gjykimin e ish-presidentit Donald Trump, nën akuzat për nxitje të kryengritjes, më 6 janar.
Atë ditë, mbështetësit e Trumpit kanë sulmuar dhunshëm ndërtesën e Kongresit amerikan, derisa ligjvënësit kanë qenë duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Pesë persona, përfshirë një zyrtar të policisë, janë vrarë në trazira.
Gjyqi u hap me një votim procedural mbi një marrëveshje dypalëshe, që përcakton rregullat e gjyqit, e cila u miratua. Senati më pas vazhdoi me debatin nëse ndjekja penale e ish-presidentit është kushtetuese.
Shumica e republikanëve të Senatit thanë se besojnë se nuk është kushtetuese – gjë që sugjeron se ish-presidenti republikan do të dalë i pafajshëm.
Sipas demokratëve, një fjalim i Trumpit më 6 janar, si dhe pretendimet e pabazuara të tij për mashtrime në zgjedhje, e kanë provokuar turmën për të sulmuar Kongresin.
Avokatët e Trumpit, në anën tjetër, pritet të argumentojnë se retorika e tij, që hedh dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve, është liri e shprehjes, e mbrojtur me Kushtetutë.
Gjykimi pritet të zgjasë së paku një javë. Duke filluar nga e mërkura, prokurorët dhe mbrojtja kanë deri në 16 orë kohë për të ofruar argumentet e tyre – por jo më shumë se tetë orë në ditë.
Më vonë, senatorët do të kenë kohë për të bërë pyetje dhe mund të ketë votime shtesë procedurale.
Sipas një sondazhi të kryer nga ABC Neës dhe Qendra e Kërkimeve Ipsos, shumica e amerikanëve – 56 për qind – duan që Senati amerikan ta dënojë Trumpin dhe, në këtë mënyrë, ta ndalojë atë të udhëheqë ndonjë zyrë publike në të ardhmen.
Megjithatë, 50 demokratët e Senatit do të kenë nevojë për votat e së paku 17 republikanëve për ta dënuar ish-presidentin.
Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, ka votuar për shkarkimin e Trumpit pak ditë para se ai të përfundonte mandatin presidencial, më 20 janar.
Në vitin 2019, Trump është përballur edhe me një proces tjetër të gjykimit, nën akuzat se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili pritej të ishte rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020. Senati nuk e ka fajësuar Trumpin në atë proces.